image Osmani - Lajçakut: Është urgjente zbardhja e fatit të të pagjeturve

Politikë

Osmani – Lajçakut: Është urgjente zbardhja e fatit të të pagjeturve

news image

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, sot ka takuar Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi dhe çështje tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Në komunikatën për media thuhet se është diskutuar për zhvillimet e fundit në procesin dialogut në Bruksel, shkruan Gazeta Sinjali.

Përveç zhvillimeve rajonale, Osmani dhe Lajçak diskutuan edhe për perspektivën evropiane të Kosovës, si dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Presidentja foli për angazhimin konstruktiv të Kosovës në dialogun me Serbinë, duke përçuar synimin e qartë të institucioneve tona që procesi të jetë i përqendruar në njohjen e ndërsjellë. Presidentja Osmani theksoi se marrëveshja mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë është hap pozitiv në këtë aspekt, duke përmendur se zbatimi është shumë i rëndësishëm“, thuhet në njoftim.

Presidentja Osmani përmendi urgjencën për progres në marrëveshjen për personat e zhdukur me dhunë, e cila mbetet plagë e thellë në shoqërinë tonë.

Po ashtu, ajo ka folur edhe mbi nevojën për të pasur një mekanizëm të qartë zbatimi, duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj marrëveshjeje.

Osmani dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Lajçak kanë folur edhe për procesin e stërvonuar të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, dhe nevojën për të ecur përpara urgjentisht, duke qenë se ky proces është i një rëndësie të madhe për kredibilitetin e BE-së në Kosovë“, thuhet në komunikatën e dërguar mediave.

/GazetaSinjali/