Kryeparlamentarja e re e Kosovës, Vjosa Osmani, në Rubikon të KTV-së ka thënë se ishte kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ai që propozoi që ajo të jetë kryeparlamentare për një mandat, dhe jo për më pak.
Osmani ka komentuar propozimin e LDK-së që Glauk Konjufca i VV-së të tërhiqej nga ky post me kushtin që LDK-ja ta udhëheqë për një vit e më pas sërish VV-ja. Sipas saj, gjatë diskutimeve kur “u konsiderua se po digjet Konjufca, u thash se po digjem edhe unë me të”.
“Arsyeja e kërkesës sonë që ta kemi pozitën e kryeparlamentarit vetëm për një vit, ka qenë që të mos keqkuptohemi se po e bëjmë këtë për ta djegur Konjufcën. Por në momentin kur thash se po hyj unë që pas një viti të hiqem, zoti Kurti tha se nuk mund të pranohet kjo, sepse nëse ‘ti hyn për një vit, nuk mund të të kërkojmë të tërhiqesh, pra rri për katër vjet’. Pra ka qenë propozim i Kurtit”, ka thënë ajo.
Ajo ka përsëritur se Konjufca nuk ka dhënë dorëheqje nga ky post, por “thjesht ka vendosur të vazhdojë si ministër i Punëve të Jashtme”.