image Osmani kërkon që bashkësia ndërkombëtare t'i bëjë presion Serbisë për të pagjeturit

Sociale

Osmani kërkon që bashkësia ndërkombëtare t’i bëjë presion Serbisë për të pagjeturit

news image

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Martin Schuepp drejtorin Rajonal të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për Evropën dhe Azinë Qendrore, transmeton Gazeta Sinjali.

Gjatë këtij takimi Osmani e njoftoi Schuepp me përkushtimin e institucioneve të reja të Kosovës për zbardhjen sa më të shpejtë të fatit të 1 mijë e 639 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së Kosovës e që, sipas saj, ky proces duhet të trajtohet jo vetëm si politik, por edhe si humanitar.

“Për institucionet tona, zbardhja e fatit të tyre përbën jo vetëm prioritet politik, por edhe detyrim njerëzor, prandaj ne nuk duam ta trajtojmë këtë proces vetëm si politik, por, mbi të gjitha madje, edhe si humanitar”, tha Osmani.

Presidentja e vendit ndër të tjera ka deklaruar se, “është detyrë e institucioneve që ta dëgjojnë zërin e familjeve të të zhdukurve, të bëhen zëri i tyre”, duke shtuar se po bëhet gjithçka që familjet të trajtohen dinjitetshëm dhe të marrin sa më shpejt që të jetë e mundur, informata mbi fatin e më të dashurve të tyre.

“Procesi po shkon tepër ngadalë”, tha Osmani.

“Serbia nuk po tregon gatishmëri për ta zbardhur fatin e këtyre personave. Prandaj, bashkësia ndërkombëtare duhet ta rrisë presionin mbi Serbinë, që ajo të ofrojë informata për secilin person të zhdukur dhunshëm”, tha ajo.

Schuepp, ndërkaq, e njoftoi presidenten Osmani për përpjekjet që kjo organizatë po i bën për të siguruar të dhëna për personat e zhdukur./Gazeta Sinjali/