image Kryenegociatorët rikthehen në tavolinën e dialogut, temat që pritet të diskutohen

Politikë

Kryenegociatorët rikthehen në tavolinën e dialogut, temat që pritet të diskutohen

news image

Sot në Bruksel zhvillohen takime në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.

Burimet e Bashkimit Evropian kanë konfirmuar takimet duke i përshkruar si “takime në kuadër të dialogut”, sepse nga përvoja e së kaluarës është parë se palët shpesh nuk janë takuar fare, por vetëm kanë pasur takime të ndara me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak.

Megjithatë, më 22 shkurt ka plane për zhvillim të një takimi të përbashkët.

Takimin e parë me Lajçakun pritet ta ketë, Besnik Bislimi, zëvëndëskryeministër i Kosovës.

Më pas takim të njëjtë do të ketë shefi i delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq.

Në orët e pasdites pritet të zhvillohet takimi i përbashkët me ndërmjetësim të Lajçakut.

Sipas burimeve të BE-së, takimet e së martës do të shërbejnë për të vazhduar diskutimet e lidhura me zbatimin e marrëveshjeve të deritashme dhe hapat e ardhshëm në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, raporton REL.

Temat të cilat pritet të diskutohen do të jenë çështja e të pagjeturve, ajo e targave të veturave dhe çështja e energjisë.

Pala serbe, sipas asaj që ka thënë Petkoviq në një intervistë për televizionin shtetëror të Serbisë, pritet të kërkojë që të diskutohet për zbatimin e marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës.

Institucionet e Kosovës, ndryshe nga praktika e mëparshme, kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë organizimin e tyre në Kosovë.

Takimi i 22 shkurtit zhvillohet pas një kohe relativisht të gjatë pa takime, me përjashtim të atyre të ekspertëve për çështjen e targave të veturave.

Burimet diplomatike në Bruksel kanë paralajmëruar se takimet e së martës do të shfrytëzohen për të testuar nëse ka gatishmëri të mjaftueshme mes palëve edhe për një takim të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Të dyja palët kanë thënë publikisht se janë të gatshme për takim të tillë, por BE ka insistuar se nëse ndodhë ai, duhet të ketë edhe rezultate konkrete.

/GazetaSinjali/