Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, ka kërkuar mbështetje nga shteti i Irlandës, në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
Nga takimi, i cili po mbahet në Bruksel, Osmani ka njoftuar se ka diskutuar për vullnetin e qartë të popullit të Kosovës, qëndrim ky i cili është pro integrimit në Bashkim Evropian dhe organizata tjera ndërkombëtare, shkruan Gazeta Sinjali.
“Me anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, përfitojnë më së shumti qytetarët e saj duke pasur në gjirin e saj një shtet demokratik që promovon të drejtat e njeriut“, ka shkruar Osmani në Facebook.
Pas këtij takimi, të cilin e konsideroi si “të ngrohtë dhe konstruktiv”, kryeministri i Irlandës ka thënë se shteti i tij e mbështet Kosovën në rrugëtimin e saj drejt BE-së.
“Takim i ngrohtë dhe konstruktiv me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Përsërita mbështetjen e Irlandës për Kosovën në rrugëtimin e tyre si pjesë e familjes më të madhe evropiane“, ka shkruar Martin në Twitter.