Kryetarja e Kuvendi të Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar ofendimet që po bëhen në adresë të saj në rrjete sociale, por edhe nga politikanëve dhe aktivistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti të cilës i takon ajo.
Osmani thotë se e di se kush fshihet prapa tyre dhe paralajmëron se një ditë do të publikohen të gjitha. Madje, ajo thotë se ata që po i japin këta urdhra, do të turpërohen kur t’i shohin.
“ Unë vetëm mund të them se niveli i fyerjeve, sulmeve e ofendimeve që kanë përdor njerëz që thirren në emër të LDK-së, që fshihen prapa faqeve të ndryshme, është deri në atë nivel të turpshëm që kur ta përgatis një ditë një kolazh, kanë me u turpëru kur t’i lexojnë ato fjalë, se kush i ka qitë ato e kush janë njerëzit prapa tyre e ku i marrin urdhrat.
Unë të gjitha i di, dihen këta njerëz, i njoh secilin nga ta, e di si organizohen e si shkruhen ato fjalë dhe më e keqja është që mburren me ato gjëra. Për fat të keq që e përdorin emrin e presidentit historik për t’i bërë ato fyerje”, ka thënë Osmani.
Ajo tutje shton se të gjitha këto kanë kaluar çështjen politike dhe po prekin dinjitetin.
“Këta kanë deviju e me mbulu veprimin e vet po përdorin propagandë. Edhe unë jam vajza, gruaja e nana e dy vajzave, e nëse unë isha ulë në të njëjtën tavolinë me ata njerëz, prandaj kam thënë që kjo është çështje dinjiteti”./Gazeta Sinjali/