image Osmani flet për punën e gazsjellësit: Kosova s’mund të ketë rrugëdalje tjetër, përpos bashkëpunimit me SHBA-në

Politikë

Osmani flet për punën e gazsjellësit: Kosova s’mund të ketë rrugëdalje tjetër, përpos bashkëpunimit me SHBA-në

news image

Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se Republika e Kosovës, sa i përket aspektit gjeopolitik, nuk ka rrugëdalje tjetër, përpos që të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çështjen e projektit për gazsjellësin.

Kështu është përgjigjur e para e shtetit kur është pyetur se pse ka refuzim nga ana e Kosovës për një iniciativë të tillë që ka përkrahjen amerikane.

“Përse Kosova akoma nuk i është përgjigjur planit për Gazsjellësin Ballkanik. Pse ka një refuzim nga ana e Kosovës për këtë iniciativë, e cila është përkrahur edhe nga Amerika?”, thuhet në pyetjen e DW.

Derisa presidentja Osmani ka thënë se s’ka refuzim dhe se thjeshtë çështja është duke u shqyrtuar nga institucionet relevante, megjithatë thotë se sa i përket aspektit gjeostrategjik, Kosova s’ka rrugëdalje tjetër përpos të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Jo nuk mund të them që ka refuzim. Thjesht, ka studim të ekspertëve dhe të ministrive përkatëse, të cilat janë në diskutim të përditshëm me shtetin amerikan, në mënyrë që e gjitha të sqarohet. Mirëpo asnjëherë deri tani unë nuk kam dëgjuar ndonjë refuzim nga ana e qeverisë së Kosovës. Megjithatë ka kohë për përgjigje. Sepse afatet kohore për përgjigje janë të qarta nga ana e MCC në këtë rast. Unë kam folur personalisht me MCC dhe po ashtu me përfaqësues të shtetit amerikan, ku personalisht si presidente kam dhënë përkrahjen time nga aspekti gjeostrategjik dhe gjeopolitik, pa hyrë në detaje të implementimit, sepse ato i bëjnë ministritë përkatëse dhe jo presidentja e vendit. Pra, ata duhet të merren me çështjen e ndërtimit të pipeline-it me çështjen e çmimit, me çështjen e shumave të ndryshme, se sa saktësisht do të blihet, kur pritet të vijë, cilat do të jenë loans që do t’i marrë, etj. Mirëpo në aspektin politik, unë mendoj që ky është një vendim gjeostrategjik tejet i rëndësishëm për Kosovën dhe gjithnjë duhet ta kuptojmë që energjia nuk është vetëm energji, është po ashtu çështje gjeostrategjike. Prandaj, mendoj se për Kosovën nuk mund të ketë rrugëdalje tjetër, përpos bashkëpunimit me SHBA-në. Ky është mendimi im si Presidente e Republikës. Por pastaj unë e kuptoj që ministritë e niveleve më të ulëta mund të kenë edhe shumë pyetje të tjera rreth implementimit dhe çështje të tjera. Si person që vërtet lufton që Kosova t’i arrijë këto qëllime të veta për energji të gjelbër natyrisht që unë e kuptoj që gazi nuk është 100 për qind i pastër. Mirëpo në krahasim me qymyrin, që përdoret sot në Kosovë, është shumëfish më i pastër dhe po ashtu është fazë tranzicionale”, ka thënë presidentja Osmani.

E pyetur se a e përkrah projektin për gazsjellësin, Osmani ka thënë se “Unë mendoj që në aspektin gjeostrategjik ky është vendimi që duhet të marrë Kosova. Por nuk pretendoj të jem eksperte e çështjeve të energjisë, prandaj po e pres vlerësimin nga ana e ministrive përkatëse rreth çështjeve të tjera të implementimit, sepse nganjëherë nuk mjafton vetëm vendimi politik, duhet patjetër ta dimë edhe se si implementohet ai vendim dhe të kërkojmë përkrahje edhe më të lartë, dhe financiare nga ana e partnerëve tanë, përfshi edhe Shtetet e Bashkuara në mënyrë që implementime të tilla të jenë të suksesshme. Por, nga aspekti gjeostrategjik, Kosova s’ka pse të shikoj tjetërkund. Shikimin duhet ta mbaj nga Shtetet e Bashkuara”.

Derisa dje ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se s’mund të vendosin për gazsjellësin pa e ditur koston totale.

“Në veçanti janë disa çështje, të cilat kërkojnë qartësim, siç janë financat, dhe ta dijmë se cila do të ishte kosto totale, kush do t’i financonte, kush do ta ndërtonte termocentralin, e që është thënë se do të ndërtohej me partneritet publiko-privat. Po ashtu do të duhej të merrnim kredi në shumë të mëdha për përfundimin e projektit, të cilat do t’i paguanin konsumatorët. Vendimet nuk do të merren pa e ditur se sa do të kushtojë dhe pa e ditur se sa do të jetë çmimi që do të paguajë konsumatori për energji”, ka thënë dje Ministrja Rizvanolli.

/GazetaSinjali/