image Osmani flet për Hysenin: Ka përvojë, por nuk e di sa do të ndihmojë në dialog

Politikë

Osmani flet për Hysenin: Ka përvojë, por nuk e di sa do të ndihmojë në dialog

news image

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar emërimin e Skënder Hysenit në pozitën e koordinatorit për dialogun e Kosovës me Serbinë, raporton Gazeta Sinjali.

Osmani thotë se Hyseni ka përvojë në procesin e negocimit të Pakos së Ahtisarit, por sipas saj, kjo nuk është garancë që ai do të ndihmojë në këtë proces.

“Si koordinator, duhet të na bëhet e qartë se cilat janë konkretisht detyrat e Hysenit në këtë proces dhe nëse nuk jemi të informuar në këtë pikë, atëherë nuk mund të them sesa do të ndihmojë ose jo Hyseni në këtë proces”, tha ajo në Rubikon.

Skeptike për ndihmën në dialog, Osmani u shpreh edhe për kryeministrin Avdullah Hoti për të cilin tha se nuk ka aftësi negocimi në fushën ndërkombëtare e as nuk ka qenë i përfshirë në ndonjë proces të shtetndërtimit.

Hyseni u emërua sot në pozitën e koordinatorit për dialogun me Serbinë. Ai pritet të udhëheqë Këshillin e Ekspertëve pranë Zyrës së Kryeministrit. Detyrë e këtij këshilli, i cili u formua në fillim të korrikut, do të jetë përpilimi i analizave specifike dhe këshillimi i kryeministrit dhe qeverisë për çështjen e dialogut me Serbinë./Gazeta Sinjali/