Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin Albin Kurti kanë vendosur kurora lulesh para shtatores së Zahir Pajazitit, Hakif Zjenullahut, Edmond Hoxhes dhe Ilir Konushevcit në 25 vjetorin e rënies së tyre, në Sheshin e Dëshmorëve, në Podujevë.
Osmani tha se janë këtu për të shprehur nderimet e tyre më të larta për veprimtarinë punën dhe sakrificën që këta heronjtë bënë për lirinë e Kosovës.
“Zahiri me shokë ishin pararoje të UÇK-së ata ishin lajmëtarët e lirisë tonë. Ishte angazhimi i tyre dhe rënia e tyre për lirinë e Kosovës që më vonë frymëzoi edhe shumë gra e burra që ti bashkohen luftës çlirimtare që kulmoi me çlirimin e vendit tonë”.
Ndërkaq, kryeministri tha se komandanti Zahir Pajaziti ishte ndër pararendësit e UÇK-së, bashkë me Hakif Zjendullahun dhe Edmond Hoxhën, kryenin aksione ndaj okupatorit.
“Të tre këta ishin kushtrimi i çlirimit, i dhanë hov UÇK-së dhe e rritën besimin e popullit të në UÇK. Lavdi për ta dhe për të gjithë heronjtë”.