Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Osmani tha se në Prekaz është vulosur liria jonë, me sakrificën dhe trimërinë e familjes Jashari, në krye me legjendarin Adem Jashari.
“Nga këtu shprehim nderimin për të gjithë dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët vlerën e lirisë e vendosën edhe para jetës së tyre, në mënyrë që ne të gëzojmë këtë ditë“, tha presidentja Osmani.
Ndërsa kryeministri Kurti, tha se lufta jonë çlirimtare nuk mund të mendohet nga askush, pa familjen Jashari, duke e cilësuar Prekazin, si kryeqytet të kryengritjes shqiptare.
“Prekazi heroik është kryeqyteti i kryengritjes shqiptare. Dita e Çlirimit dhe Paqes i ka rrënjët këtu“, u shpreh kryeministri Kurti.