Kryeparlamentarja, Vjosa Osmani, në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka dënuar deklaratat e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, duke thënë se reagimi i Qeverisë Hoti është i vonshëm, transmeton Gazeta Sinjali.
Osmani tha se Daçiq me tendencën për fshehje të krimeve ka bërë krim të dyfishtë dhe se Qeveria e Kosovës nuk do të duhej të negocionte me Serbinë.
Kurse, përgjegjësinë për mos miratimin e Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, kryetarja e Kuvendit ia ka atribuuar tërësisht kryeministrit Avdullah Hoti, duke thënë se mungesa e numrave të koalicionit qeverisës nuk është përgjegjësi e saj.
Osmani tha se krahas seancës së enjtes, edhe të premten mund të ketë seancë ku pritet që kryeministri Hoti të raportojë për 100 ditëshin e punës.
Kryeparlamentarja përsëriti qëndrimin e saj kundër Qeverisë Hoti, ku tha se e njëjta nuk do të duhej të formohej fare. /Gazeta Sinjali/