image Osmani - Borrellit: Faza e re e dialogut të udhëhiqet nga trajtimi i barabartë i palëve

Politikë

Osmani – Borrellit: Faza e re e dialogut të udhëhiqet nga trajtimi i barabartë i palëve

news image

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se faza e re e dialogut duhet të udhëhiqet nga parimi i trajtimit të barabartë të palëve dhe të sigurohet se do të përfshihen çështjet të cilat janë në interes të qytetarëve.

Këtë deklaratë e para e vendit e bëri në samitin vjetor të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), shkruan Gazeta Sinjali.

Gjatë këtij samiti, Osmani ka zhvilluar një takim me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell, me të cilin ka biseduar për raportet e Kosovës me BE-në, si dhe dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar.

“Lidershipi i ri i vendit ka prioritet reformat e nevojshme për ta çuar përpara procesin e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Ne kemi treguar gatishmëri të marrim pjesë në dialog, por në një proces të përgatitur mirë, i cili do të rezultojë me marrëveshje përfundimtare për njohjen e ndërsjellë dhe do ta respektojë sovranitetin dhe integritetin e Kosovës”.

Në një kumtesë të lëshuar nga Presidenca, Osmani citohet të ketë thënë se faza e re e dialogut duhet të udhëhiqet nga barazia e palëve.

“Faza e re e dialogut, në të cilën po hyjmë duhet të udhëhiqet nga parimi i trajtimit të barabartë të palëve dhe të sigurojë se do t’i përfshijë çështjet të cilat janë në interes të qytetarëve tanë”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, ofrimi i informatave për personat e zhdukur me dhunë nga ana e Serbisë duhet të trajtohet shumë seriozisht, edhe për të treguar përkushtimin e shtetit serb ndaj synimeve të dialogut.

Po ashtu, presidentja theksoi se Serbia nuk ka zbatuar rreth 2/3 e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel. Për më tepër, ajo shtoi se diskutimet për ndryshim territoresh janë të rrezikshme, sepse mund ta destabilizojnë tërë rajonin.

Presidentja ia shprehu edhe një herë Borrellit brengën e qytetarëve të Kosovës për zvarritjen e procesit të liberalizimit të vizave dhe procesin e integrimit të vendit, por edhe të rajonit, në Bashkimin Evropian.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së e njoftoi Osmanin me përgatitjet e BE-së për procesin e dialogut dhe shprehu besimin se procesi i nisur do të vazhdojë, për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme mes dy vendeve./Gazeta Sinjali/