image Osmani: Beogradi po do destabilizim, jemi në bashkëpunim me ndërkombëtarët

Politikë

Osmani: Beogradi po do destabilizim, jemi në bashkëpunim me ndërkombëtarët

news image

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka reaguar pas tërheqjes së zyrtarëve serbëve nga institucionet e Kosovës dhe nga Policia e Kosovës duke thënë se është Beogradi që po tenton destabilizim e po mbanë raporte të ngushta me Rusinë.

Sipas Osmanit, veprimet e sotme të Serbisë, detyruan përfaqësuesit e zgjedhur dhe të emëruar të serbëvë të Kosovës të tërhiqen nga pozitat e tyre dhe sipas saj, synim është destabilizimi i veriut të vendit.

Ajo tha se veprimi i Serbisë paraqet tërheqje të saj të njëanshme nga marrëveshjet e Brukselit për shuarjen e strukturave ilegale të saj në Kosovë.

“Ky veprim i nxitur nga Serbia, vërteton edhe njëherë atë që e kemi thënë shumë herë, se Serbia është burim i destabilizimit të Kosovës dhe rajonit për shkak të synimeve të saj territoriale dhe hegjemoniste. Megjithatë, Serbia nuk do të arrijë ta ndryshojë karakterin multietnik të institucioneve dhe ta cenojë paqen e sigurinë në Republikën e Kosovës”.

“Tërheqja e ministrave, deputetëve dhe e pjesëtarëve të komunitetit serb nga Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës dhe Policia e Kosovës është akt kundër demokracisë, sundimit të rendit e ligjit. Një veprim i tillë është bërë me presionin e pushtetit në Beograd. Qasja e tillë po u shkakton probleme serioze qytetarëve serb në veri, të cilët po ndihen të rrezikuar nga veprimi i strukturave ilegale, të cilat synojnë destabilizimin”, është shprehur Osmani.

Tutje, ajo i ka bërë thirrje serbëve të Kosovës të mos bien pre e propagandës nga Serbia, teksa ka shtuar se institucionet e Kosovës do të ndërmarrin hapat e nevojshëm për siguri publike në çdo cep të territorit në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

“Zbatimi i rendit dhe ligjit nuk përbën kërcënim për asnjë qytetar të Kosovës, pa dallim përkatësie etnike. Por, vendosja e rendit dhe ligjit përbën rrezik për strukturat ilegale të dirigjuara nga Beogradi të cilat synojnë destabilizimin e Kosovës dhe rajonit”.

“Kosova është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet, si dhe mbetet e pozicionuar qartë në rrugën e saj euroatlantike. Veprimet e institucioneve për barazi të të gjithëve para ligjit janë në përputhje me standardet më të larta dhe vlerat evropiane. E ardhmja e Kosovës është në BE dhe në NATO dhe askush nuk do të mund ta ndalojë këtë rrugë”, ka shkruar Osmani.

Por, është Beogradi ai i cili po tenton destabilizimin dhe i cili mbanë raporte të ngushta me Rusinë dhe është vegël e saj në këtë pjesë të Ballkanit.

/GazetaSinjali/