image Organizoi dasëm në pandemi, suspendohet nga puna eprori i Policisë në Gjilan

Drejtësi

Organizoi dasëm në pandemi, suspendohet nga puna eprori i Policisë në Gjilan

news image

Mbrëmjen e së shtunës së kaluar, eprori i Policisë në Gjilan, Nijazi Kolgeci, kishte organizuar një aheng familjar në njërin nga restorantet e qytetit, duke shkelur kështu masat antiCOVID, shkruan Gazeta Sinjali.

Inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së bashku me Policinë, kishin inspektuar lokalin dhe kishin shqiptuar 11 gjoba ndaj atyre që nuk i kanë respektuar masat.

“Në një rast është hasur në një organizim të dasmës në kundërshtim me vendimin e qeverisë. Në të gjitha këto raste është vepruar sipas procedurave ligjore. Fillimisht është urdhëruar zbrazja e hapësirave  të lokaleve, janë shqiptuar gjobat varësisht nga shkelja dhe po ashtu lokalet janë mbyllur. Si shkelës të masave janë ndëshkuar edhe 11 punonjës të cilët kanë qenë duke shërbyer pa maska”, thuhet në përgjigjen e AUV-it për Sinjalin.

Kurse, në një përgjigje për Sinjalin, Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se eprori, Nijazi Kolgeci, është suspenduar nga puna.

“Pas pranimit të informacioneve, IPK ka pranuar rastin e kompletuar nga Policia dhe rasti është përcjellë në Departamentin e Hetimeve të IPK-së. Me rekomandim të IPK-së zyrtari policor (nënkoloneli policor) është suspenduar. V​eprimet e tjera do të ndërmirren në koordinim me prokurorinë kompetente e cila ka autorizuar hetuesit të ndërmarrin veprime hetimore dhe në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për Sinjalin.

/Gazeta Sinjali/