Paralajmërimeve të Qeverisë Kurti për rikthimin e reciprocitetit ndaj Serbisë nuk po i beson opozita. Në PDK dhe AAK thonë se kryeministri Albin Kurti po e përdor këtë vetëm për të manipuluar me qytetarët dhe konsum të brendshëm.
Bashkimi Evropian në anën tjetër po kërkon nga institucionet e Kosovës të përmbahen nga veprimet që janë të dëmshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Zëdhënësi i këtij institucioni, Peter Stano thotë se qeveria e re duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive për vazhdimin e dialogut me Serbinë.
“BE dhe shtetet e saj anëtare presin që autoritetet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive me synimin për të vazhduar takimet e Dialogut të lehtësuar nga BE dhe të shfrytëzojnë mundësinë që kanë përpara tyre, për ta sjellë një përfundim të suksesshëm për këtë proces të rëndësishëm. Në përgjithësi, Bashkimi Evropian u bën thirrje Palëve të Dialogut dhe pret prej tyre, që të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet që janë të dëmshme për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre, dhe të cilat nuk kontribuojnë për një progres të suksesshëm të dialogut”, thotë ai për KosovaPress.
Deklaratave të kryeministrit për vendosjen e masave të reciprocitetit nuk po i beson anëtari i kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, i cili thotë se Kurti i premtimeve të opozitës, dallon me atë të pushtetit.
“Nuk e ka ndërmend z.Kurti ta vendosë reciprocitetin, as nuk do ta bëjë asnjëherë. Vetëm e ka përdor sa për t’i marrë votat e njerëzve, qysh e ka përdor e gjithë fushatën zgjedhore të tij këto vite për të manipuluar me ndjenjën e njerëzve. Por asnjëherë nuk e ka pas sinqerisht asnjë veprim. Dallon Albin Kurti i opozitës me atë të qeverisë”, deklaron Gjoshi.
Kritik ndaj Kurtit për këtë temë është edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Ai thotë se paralajmërimet për vendosjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë janë eksperimente populiste të kryeministrit Kurti.
“Sa i përket eksperimenteve me reciprocitet dhe veprime të tjera populiste këtë nuk e kemi në diskutim, e dimë që nuk do ta bëjë nuk do ta vendos por janë vetëm tema të diskutimit që lidhen me konsum të brendshëm, me konsum elektoral dhe jo me veprime qeveritare”, thotë ai.
Por, ndryshe e sheh analisiti politik, Rasim Alija, i cili thotë se reciprociteti ndaj Serbisë, si ndër premtimet kyçe të Kurtit gjatë fushatës është i pashmangshëm.
Mirëpo, kjo sipas tij mund të ketë pasoja në zvarritjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk ka si të bëjë ndryshe z.Kurti dhe Qeveria e Kosovës për faktin se e kanë pasur pjesë të fushatës elektorale dhe pjesë të premtimeve karshi votuesve që kanë dhënë votën karshi LVV për t’i rivendosur masat e reciprocitetit me Serbinë. Mund t’i ketë pasojat e saj sa i përket funksionimit normal të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi ende nuk e kemi të qartë edhe për datën e rifillimit të dialogut dhe për mënyrën si do të rifillojë dhe një platformë nga qeverisja aktuale”, pohon ai.
“Askush nuk duhet të ndjehet në siklet apo i kërcënuar nga vendosja e reciprocitetit, përfshirë këtu edhe shtetin e Serbisë”, u shpreh tutje ai.
Reciprocitetin ndaj Serbisë, kryeministri Albin Kurti e ka vendosur edhe vitin e kaluar, mirëpo këto masa janë anuluar nga ish-kryeministri Avdullah Hoti. Për shkak të presionit ndërkombëtar vendosja e reciprocitetit ishte bërë shkas edhe për rrëzimin e qeverisë Kurti vitin e kaluar. /Gazeta Sinjali/