image Opozita refuzon ftesën e Osmanit për të marrë pjesë në manifestimin në Poklek - Sinjali

COVID-19

Të infektuar

107921

Të shëruar

105549

Të vdekur

2265

Opozita refuzon ftesën e Osmanit për të marrë pjesë në manifestimin në Poklek

news image

Sot në fshatin Poklek të Drenasit është shënuar Dita e Çlirimit të Kosovës. Ky fshat sipas presidentes së vendit, Vjosa Osmanit, u zgjodh me arsyen se është dëshmia më e fuqishme e synimit të Serbisë për gjenocid.

Kjo ditë u shënua pikërisht në këtë fshat, pasi kështu u organizua nga tri institucionet më të larta shtetërore, Presidenca, Kryeministria dhe Kuvendi i Kosovës.

Por, për ta shënuar këtë ditë dhe të merrnin pjesë në këtë organizim, u ftuan edhe partitë opozitare. Megjithatë, kjo ftesë u refuzua nga PDK, LDK dhe AAK.

Kështu kanë bërë të ditur burimet e Sinjalit brenda Presidencës. Refuzimi i kësaj ftese nga opozita, sipas këtyre burimeve është bërë përmes telefonit.

Ndonëse partitë opozitare munguan, përveç presidentes, kryeministrit e kryeparlamentarit, për ta shënuar këtë ditë mori pjesë edhe kori diplomatik.

Deklarimet e Osmanit, Kurtit e Konjufcës

Osmani gjatë fjalës së saj citoi sekretarin e përgjithshëm të NATO-s në atë kohë, Lordin George Robertson, i cili kur kishte vizituar Poklekun kishte thënë se: “kushdo që mund të dyshojë në drejtësinë e intervenimit të NATO-s, duhet të vijë në Poklek”.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti, nga Pokleku përmendi sërish padinë ndaj Serbisë për gjenocid, e cila është e përfshirë në programin e  Qeverisë.

Kurse kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se kjo ditë përmbush një proces me shumë sakrifica për lirinë e vendit.

Ai po ashtu tha se rreziku nga shteti serb ende nuk ka kaluar, madje sipas tij kërcënimi sot është i pranishëm si kurrë më parë.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin