Qeveria e Kosovës para pak ditëve ka miratuar buxhetin për vitin 2023 plotë 3 miliardë e 212 milionë euro. Edhe pse u konsiderua si historike nga Qeveria, opozita po e konsideron më të dobëtin se në vitet 2018 dhe 2019.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj në një intervistë ka thënë se buxheti si është paraqitur bie mbi kurrizin e qytetarëve.
Tutje, ai tha se vitin e fundit është më skandaloz në kuptimi e shpenzimit dhe të investimeve që do të duhen të bëheshin.
“Sa i përket Ligjit të ri të buxhetit të Kosovës forma se si është paraqitur prapë kjo bie mbi kurrizin e qytetarëve. Në njërën anë kemi pak shpenzime të investimeve kapitale që do të ishte rikthim i atyre mjeteve në të mirën e qytetarëve ndërsa kemi prolongim të rritjes së buxhetit me këto çmime enorme dhe TVSh të rritur në kuptimin e rritjes së çmimeve dhe me forma të tjera tatimore të cilat e kanë rënduar jetën dhe mirëqenien e qytetarëve tanë”.
“Ky lloj deklarimi është i pasaktë dhe asgjë nuk është produktive këtë vit dhe sipas kësaj qasje edhe vitin e ardhshëm do të jenë problematikat e njëjta. Kosova ka avancuar që ta ketë buxhetin më të lartë. Viti i fundit është më skandaloz në kuptimi e shpenzimit dhe të investimeve që do të duhen të ishin publike. Kjo rritje është në kurriz të rritjes së çmimeve dhe rritjes së varfërisë”, tha Zemaj.
Deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Hajdar Beqa thotë se nuk sheh buxhet zhvillimor, por më shumë bartje të mjeteve nga viti në vit apo dështim të investimeve kapitale.
“Nuk shoh ndonjë buxhet që ka mund me përcjellë inflacionin dhe nuk e shoh ndonjë buxhet zhvillimor, por më shumë bartje të mjeteve nga viti në vit apo dështim të investimeve kapitale nga ky vit në tjetrin”.
“Unë konsideroj që nuk është buxheti më historik dhe mendon që është buxheti më i dobët sesa buxheti që ka qenë në vitin 2018 apo 2019”, tha Beqa në një intervistë për Ekonomia Online.