image Opozita në SHBA, AAK thotë se u thirrën për të ua "ngre veshët"

Politikë

Opozita në SHBA, AAK thotë se u thirrën për të ua “ngre veshët”

news image

Liderët e partive opozitare, Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës, javën e ardhshme do të qëndrojnë në vizita të ndara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dy politikanët, kanë zbuluar pak nga ajo se çfarë do të bëjnë në vendin aleat të Kosovës.

“Unë kam një vizitë në SHBA, një javore, të aranzhuar kohë më parë që fillon javën e ardhshme, fluturoj të dielen për në Uashington. Atje kemi takime në Departamentin e Shtetit, takime me kongresmenë, senatorë, institucione të sigurisë amerikane, figura politike të rëndësishme atje si pjesë e angazhimit tonë politikë, ka traditë LDK me SHBA-në”, tha ai.

Abdixhiku e bëri të qartë, se në shtetin amerikan, nuk po shkon për t’i bërë opozitë Qeverisë, “për dallim nga populistët”, siç shtoi vetë ai.

“Atje do të bëj përfaqësimin e pikëpamjeve tona sa i përket zhvillimit të vendit, e jo të bëjë opozitë kundër Qeverisë, unë asnjëherë nuk bëj opozitë jashtë vendit. Për dallim prej populistëve, unë nuk dal jashtë vendit ta shaj vendin tim. Me miqtë tanë do të flas hapur dhe drejtë, siç kemi folur çdo herë, për pikëpamjet tona dhe relacionet që vendi ynë duhet të ketë me ShBA-në”, ka thënë kryetari i LDK-së.

Në anën tjetër, Krasniqi përveç vizitës në Washington do të zhvillojë takime edhe në Bruksel.

Lideri opozitar tha se do ta takojë emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, derisa përmendi edhe takime në Këshillin e Sigurisë Kombëtare e në Kongres.

“Do të zhvilloj takime në Këshillin e Sigurisë Kombëtare si dhe Kongres, në dy dhomat: në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat. E përtej kësaj, do të kem takime dhe pritje edhe në disa prej instituteve the think-tanks kryesore amerikane, të ndërlidhura qoftë në Partinë Demokratike apo Partinë Republikane, siç është Këshilli i Atlantikut, Fondacioni Haritage e kështu me radhë”, tha ai.

Përveç takimeve dhe paraqitjes së qëndrimeve të Partisë Demokratike të Kosovës rreth zhvillimeve aktuale në vend, Krasniqi tha se do të diskutojë edhe shqetësimet e fundit të shprehura nga SHBA-ja.

“Do të dëgjoj me vëmendje se cilat janë qëndrimet e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse kohëve të fundit vërtetë është shqetësues fakti që në disa nga deklarimet e nivelit më të lartë, e shohim një fjalë që nuk e kemi dëgjuar më herët e që është fjala- zhgënjim. Është fatkeqësi që sot Kosova të shikohet nga prizmi i zhgënjimit, nga vendi që i ka ndihmuar Kosovës më së shumti”, ka thënë Krasniqi.

Për kryetarin e PDK-së, kjo vizitë është e rëndësishme, pasi që sipas tij po ndodhë në momentin kur shumë zhvillime po ndodhin në vend.

Për dallim nga Abdixhiku dhe Krasniqi, ftesë të njëjtë nuk mori kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Bruime të Gazetës Sinjali brenda kësaj partie kanë thënë se “Washingtoni i thirri Abdixhikun dhe Krasniqin për të ua ngre veshët”.

Ndryshe, ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla atij të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe ministres të Drejtësisë, Albulena Haxhiu i është shtyrë vizita për në SHBA.

Sipas zëdhënëses të Ambasadës të Amerikës në Kosovë, Katherine Judd nuk është koha e përshtatshme për vizita zyrtare.

“Kjo nuk është domosdoshmërisht koha më e përshtatshme që ministrat të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara për takime zyrtare, duke pasur parasysh krizën që duhet trajtuar. Ne këtë mesazh po ua përcjellim zyrtarëve të ndryshëm të qeverisë”, tha ajo për Klanin.

Përveç ministrave, vizita iu shtye edhe disa kryetarëve të komunave për të njëjtën arsye.

/GazetaSinjali/