image Opozita akuzon Hotin për suspendim të shtetësisë dhe heqje dorë nga politika e jashtme

Politikë

Opozita akuzon Hotin për suspendim të shtetësisë dhe heqje dorë nga politika e jashtme

news image

Moratoriumi 1 vjeçar i Kosovës për mosaplikim në organizata ndërkombëtare po konsiderohet si suspendim i shtetit për këtë periudhë. Dy partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, thonë se ky vendim është shumë i dëmshëm, pasi Kosova po heq dorë nga politika e jashtme.

Ndërkohë kryeministri Avdullah Hoti ka theksuar se ky afat 1 vjeçar është vënë për të shfrytëzuar arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë. Derisa edhe e arsyetoi me argumentin se pa ndihmën e SHBA-së nuk mund të aplikojnë në asnjë organizatë multilaterale.

Nga partia e Albin Kurtit u shprehën se Hoti në mënyrë të vullnetshme ka hequr dorë nga njohja e vendit. Zëdhënësi, Përparim Kryeziu thotë se ky veprim është i dëmshëm për vendin.

“Moratoriumi është suspendim i shtetësisë për një vit. Efektivisht çka ka thënë Kosova përmes kësaj marrëveshje është se për një vit shtetësia ime dhe elemente përbërëse të shtetësisë sime janë të pamjaftueshme që organizatat të pranojnë si palë të barabartë. Është suspendim i shtetësisë dhe mosnjohje ndaj vetës në mënyrë të vullnetshme. Atëherë si mund të ketë mundësi që një subjekt tjetër në të ardhmen mund të njeh Kosovës”, thotë ai.

Të ashpër për këtë vendim të qeverisë Hoti u shprehën edhe nga tabori i PDK-së.

Zëdhënësi i partisë, Avni Bytyqi thotë se ky është një veprim i palogjikshëm i kryeministrit Hoti.

“Është shumë e dëmshme, pasi për neve është e paqartë pse Kosova ka hequr dorë nga politika e jashtme. Cila është arsyeja, për neve është e palogjikshme pse kryeministri i një vendi të hekë dorë nga politika e jashtme sidomos kur është çështja e njohjes edhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare”, thotë ai.

E kryeministri përmes një konference për medie ditë më parë ka thënë se vendit i është kërkuar që gjatë kësaj periudhe të arrihet një marrëveshje finale me Serbinë.

Ndërkohë theksoi se në asnjë organizatë ndërkombëtare nuk mund të aplikojnë kur se kanë mbështetjen e ShBA-së.

Kosova vitet e fundit nuk ka mundur të bëhet pjesë e asnjë organizate ndërkombëtare. Vendi dështoi të anëtarësohet në UNESCO dhe Interpol.

Ndërkaq përveç njohjes së fundit nga Izraeli, Kosova në dy vitet e fundit ka pasur regres sa i përket njohjeve zyrtare nga shtetet e tjera./Gazeta Sinjali/