Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka vazhduar operacionin “Taksisti2023”, ku fillimisht me datën 13 prill 2023 ishin arrestuar dy persona ku i ishin konfiskuar 10 mijë euro nga dy euro të dyshuara të falsifikuar. Ndërsa sot u arrestuan edhe dy persona në Ferizaj.
Në njoftimin e lëshuar nga Policia thuhet se është arritur të sigurohen prova dhe dëshmi të reja edhe për dy personat e tjerë që dyshohet se kanë bashkëpunuar për shpërndarjen e parave të falsifikuara në vende të ndryshme.
“Dy personat tjerë të dyshuar në këtë rast me iniciale (L.L. dhe R. K. ), tani më të arrestuar, ekziston dyshimi i bazuar se me veprimet e tyre dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘Falsifikim i parasë’. Sot me datë 03.05.2023, dy të dyshuarit e lartcekur me iniciale janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare dhe pas intervistimit me vendim të Prokurorit kompetent janë ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejme ligjore”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Muajin e kaluar në këtë rast janë konfiskuar mbi 10 mijë euro në formë të monedhave prej dy eurosh, pasi dyshohet se janë të falsifikuara.
Më 13 prill, Policia kishte bërë të ditur se dy persona janë arrestuar nën dyshimin se kishin sjellë paratë e falsifikuara nga Maqedonia në Kosovë.