image OKB: Në Ukrainë janë kryer krime lufte

Evropë

OKB: Në Ukrainë janë kryer krime lufte

news image

Komisioni Hetimor Ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara (OKB) për Ukrainën ka arritur në rezultatin se në Ukrainë, ku vazhdon lufta me Rusinë janë kryer krime lufte, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një raport që Komisioni ka paraqitur në kuadër të sesionit të 51-të të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, janë ndarë vëzhgimet e anëtarëve të komisionit lidhur me vizitën e tyre në Ukrainë në muajin qershor.

Anëtarët e komisionit vizituan 27 vendbanime në Ukrainë dhe kanë zhvilluar intervista me më shumë se 150 dëshmitarë.

Në vendet ku janë përjetuar konfliktet janë përdorur armë shpërthyese të paligjshme, thuhet në raportin ku njoftohet se janë dokumentuar rastet që konsiderohen krime lufte të tilla si sulme pa dallim ndaj civilëve, ekzekutime, tortura, keqtrajtime dhe përdhunime.

Kreu i Komisionit, Erik Mose tha se janë tronditur nga numri i madh i personave të ekzekutuar që kanë rastisur në zonat e vizituara. “Ne jemi të shqetësuar për vuajtjet që konfliktet e armatosura në Ukrainë u kanë shkaktuar civilëve”, tha ai.

Mose thekson se komisioni ka hetuar ekzekutimet e pretenduara se janë kryer në 16 vendbanime të ndryshme në Ukrainë dhe se deri më tani tek personat e ekzekutuar është vërejtur se i kanë duart të lidhura nga pas, se janë qëlluar në kokë ose e kanë fytin e prerë.

Pasi ka tërhequr vëmendjen se nga konflikti ndikohen keq edhe fëmijët, Mose ndau informacionin se shumë fëmijë janë zhvendosur me forcë dhe tani janë të ndarë nga familjet e tyre.

/GazetaSinjali/