Shefi humanitar i OKB-së e ka përshkruar situatën në Bregun Perëndimor të pushtuar si “gjithnjë e më të rëndë”.
Martin Griffiths thotë se 158 palestinezë janë vrarë në territor që nga 7 tetori, mes tyre 45 fëmijë. Më shumë se 2,400 njerëz janë plagosur dhe mbi 1,000 janë zhvendosur.
Pas paraqitjes së statistikave, Griffiths shkroi në rrjetet sociale: “Përsëri, mjaft është mjaft”.
Sipas OKB-së, tetë nga këta palestinezë – përfshirë një fëmijë – u vranë nga kolonët izraelitë, ndërsa tre izraelitë janë vrarë në sulmet e palestinezëve.
Ka pasur më shumë se 200 sulme kolonësh kundër palestinezëve të regjistruara nga OKB-ja, duke përfshirë dhjetëra që kanë çuar në lëndime dhe më shumë se 150 ku pronat janë dëmtuar ose shkatërruar.
Duke folur për mediat në takimin e G7 në Tokio më herët, Sekretari i Jashtëm britanik James Cleverly bëri thirrje që Izraeli të ndërmarrë veprime kundër “dhunës së kolonëve në Bregun Perëndimor”, të cilën ai thotë se Britania e Madhe e ka dënuar.
Vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor, i cili drejtohet nga Autoriteti Palestinez dhe jo nga Hamasi, konsiderohen nga shumica e vendeve si të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar. Izraeli e kundërshton këtë.