Gazeta Sinjali mbrëmë raportoi për arrestimin dhe suspendimin e Përkohshëm nga puna të pulmologut, Ibrahim Hoti, i cili refuzoi t’i jepte shërbim mjekësor një pacienti të moshuar në QKMF-në e Podujevës.
Lidhur me këtë ka reaguar Oda e Mjekëve të Kosovës.
Përmes një kumtese drejtuar mediave, Oda e Mjekëve e konsideron si të padrejtë suspendimin nga puna të Hotit.
Sipas tyre, Hoti është arrestuar pa iu dhënë mundësia e sqarimit dhe pa u zhvilluar hetime paraprake.
“Oda e Mjekëve të Kosovës e ka ndjekur me shqetësim ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në Qendrën e Mjekësisë Familjare në qytetin e Podujevës. Me këtë rast, OMK vlerëson se anëtarit të saj Dr. Ibrahim Hotit i është bërë padrejtësi duke e suspenduar nga vendi i punës dhe duke e arrestuar pa i ju dhënë mundësia e sqarimit dhe pa u zhvilluar hetime paraprake dhe të nevojshme dhe vërtetuar se a janë respektuar protokolet mjekësore gjatë trajtimit të pacientit në fjalë”, thuhet në njoftim.
Tutje, OMK-ja iu ka bërë thirrje autoriteteve të hetuesisë ta lirojnë Hotin deri në verifikimin e rastit.
“OMK i bënë thirrje autoriteteve të hetuesisë dhe nivelit komunal të Komunës së Podujevës që para se të ndërmarrin veprime spektakolare duke arrestuar një mjek pa respektuar procedurat verifikuese mbi respektimin e protokoleve mjekësore të bëjë lirimin e menjëhershëm të Dr. Hotit deri në verifikimin e rastit, përndryshe neve si përfaqësues të komunitetit të mjekëve, edhe në kushte pandemie, do të detyrohemi për ndërmarrjen e masave sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.
Për suspendimin e Ibrahim Hotit ka reaguar edhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë. Edhe këta, përmes një komunikate kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të Hotit.
Në reagimin e kësaj Federate thuhet se janë të indinjuar thellë për arrestimin e mjekut në fjalë.
“Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës e indinjuar thellë pas arrestimit të mjekut të respektuar nga Podujeva Dr. Ibrahim Hoti kërkon nga organet e rendit që ta lirojnë të njejtin nga ndalimi prej 48 orësh pas një video inqizimi të publikuar në mediume. Është për të ardhur keq se si trajtohen në mënyrë më të keqe të mundshme mantelbardhët, të cilët tashmë janë të stërlodhur. FSSHK kërkon lirimin e menjëhershëm dhe ndjekjen e procedurave për zbardhjen e ngjarjes”, thuhet në reagimin e tyre./Gazeta Sinjali/