Ngadalësia e fushatave të vaksinimit në vendet evropiane kundër COVID-19 është e “papranueshme” dhe rrezikon të zgjasë pandeminë, tha të enjten një zyrtar i lartë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Dr. Hans Kluge, drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, tha se vaksinat “janë rruga më e mirë për të dalë nga kjo pandemi”, por vuri në dukje se deri tani, vetëm 10% e popullsisë së Evropës ka marrë një dozë dhe se vetëm 4% janë të mbrojtur plotësisht me dy doza.
“Për sa kohë që mbulimi mbetet i ulët, ne duhet të zbatojmë të njëjtat masa shëndetësore publike dhe sociale siç kemi bërë edhe në të kaluarën, për të kompensuar për vonesat,” tha Dr. Kluge.
Madje edhe këto shifra nuk japin një tablo të qartë të përmasave të problemeve me të cilat përballen 27 vendet e Bashkimit Evropian, ku vetëm rreth 5.6% e qytetarëve të tij që kualifikohen për vaksinë e kanë bërë fazën e parë të saj, sipas bllokut. Në Britani, kjo shifër është 46% e popullsisë së saj.
Dr. Kluge paralajmëroi qeveritë evropiane që të mos krijonin “një ndjesi të rreme sigurie” lidhur me fillimin e fushatave të tyre të imunizimit. Ai vuri në dukje se Evropa mbetet rajoni i dytë më i prekur në botë për sa i përket infeksioneve të reja dhe vdekjeve nga koronavirusi. /Gazeta Sinjali/