image O’Brien i qartë: S’bëj kërcënime të vakëta, nëse Kosova s’na trajton si partnerë as ne s’e trajtojmë atë si të tillë

Politikë

O’Brien i qartë: S’bëj kërcënime të vakëta, nëse Kosova s’na trajton si partnerë as ne s’e trajtojmë atë si të tillë

news image

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit.

Ai teksa foli për qëndrimet e SHBA-së shtoi se me këtë qëndrim, qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me ta, duke theksuar se do të trajtohet njëjtë si i trajton ajo Shtetet e Bashkuara.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tha ai.

O’Brien sa i përket kontakteve me Kurtin rreth çështjes së dinarit, tha se kishin komunikuar disa herë me të para shpalljes së vendimit dhe vetëm një shkëmbim të shkurtër pas shpalljes së tij.

“Ai kuptoi shqetësimet, premtoi se do të punonte për to, por qartazi vendosi miratimin e vendimit. Nëse ai nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere”.

“Kjo është çështje partneriteti dhe aftësie në qeverisje. Të gjitha problemet që janë hasur që kur u shpall ky vendim, u identifikuan që në 5-10 minutat e para, pasi mësuam për të. Megjithatë qeveria vazhdoi me zbatimin e tij pa paralajmërim dhe ka lënë një numër qytetarësh të vet të hutuar se si të paguajnë për bukën, qeranë dhe energjinë elektrike, të cilën disa prej tyre sapo kanë filluar ta paguajnë. Kjo nuk është formë e qeverisjes efektive. Jemi shumë të shqetësuar, pasi kjo tregon paaftësinë e qeverisë për t’i shërbyer qytetarëve të saj, por edhe për partneritetin. Të jesh pjesë e Evropës sot nënkupton t’i zgjidhësh çështjet përmes dialogut me planifikimin efektiv dhe paralajmërim. Ky vendim është shpallur me nxitim, pa paralajmërim dhe pa një përpjekje për të shfrytëzuar mekanizmat ekzistues për të gjetur përgjigje për gjithë problemet që mund të lindnin”, tha ndër tjera O’Brien për Zërin e Amerikës.

/GazetaSinjali/