image OAK refuzon të caktojë avokat tjetër në rastin e Shaban Gogajt: Urdhri i gjyqtares është tendencioz dhe cenon lirinë tonë

Drejtësi

OAK refuzon të caktojë avokat tjetër në rastin e Shaban Gogajt: Urdhri i gjyqtares është tendencioz dhe cenon lirinë tonë

news image

Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve të Kosovës ka refuzuar që të dërgojë avokat tjetër në rastin e Shaban Gogajt, pas përjashtimit të avokatit Besnik Berisha, raporton Gazeta Sinjali.

Ky institucion e ka cilësuar si tendencioz urdhrin që Gjykata Themelore në Pejë ia ka drejtuar OAK-së, për caktimin e një avokati tjetër në këtë rast.

Sipas Odës së Avokatëve, urdhri i kryetares së trupit gjykues, Violeta Husaj -Rugova, nuk ka mbështetje ligjore dhe ka tendencë të shtyjë Këshillin Drejtues të OAK-së, që të veprojë në kundërshtim me vendimet e saj, të nxjerra për këtë çështje.

“…përveç kësaj forma me të cilën gjyqtarja në fjalë përveç se nuk gjen asnjë mbështetje ligjore, është edhe në kundërshtim me mënyrën e komunikimit ndërinstitucional”, thuhet ndër të tjera në reagimin e kësaj ode.

Oda e Avokatëve vlerëson se në kuptim ligjor kjo urdhëresë nuk gjen mbështetje dhe nuk ekziston praktikë që një gjyqtar t’i drejtohet OAK-së në mënyrë urdhërore, për të ndërmarrë ose jo ndonjë veprim në frymën kushtetuese.

“Sjellim në vëmendje se Oda e Avokatëve të Kosovës, është organizatë e pavarur profesionale e avokatëve, e cila funksionon në bazë të Ligjit për Avokatinë dhe se funksioni mbrojtës i avokatit është i përcaktuar edhe me nenin 111 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili përcakton se ‘Avokatura është profesion i pavarur, e cila ofron shërbime sikur është e rregulluar me ligj’ dhe se ne si OAK, nuk do të pranojmë asgjë më pak se kompetencat kushtetuese dhe ligjore të këtij funksioni.”

Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve të Kosovës, do të veprojë konform dispozitave Kushtetuese, Ligjit për Avokatinë dhe normativës së saj, në relacion komunikimi me institucionet tjera shtetërore respektivisht Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës.

OAK ka njoftuar se nuk do të përgjigjet dhe nuk do të zbatojë asnjë vendim, urdhër apo format të tjera, “që bien ndesh me vendimet e Këshillit Drjetues, që cenojnë integritetin dhe pavarësinë e Odës së Avokatëve të Kosovës”./Gazeta Sinjali/