Oda e Avokatëve të Kosovës ka kërkuar nga Komisioni për Legjislacion që të përfshihen në Projekt-Kodin e Procedurës Penale propozimet e dhëna në grupin punues nga kjo odë, shkruan Gazeta Sinjali.
Këtë kërkesë e parashtroi kryetari i OAK-së, Behar Ejupi, në takimin e sotëm me kryetarin e Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Adnan Rrustemin.
Pjesëmarrës të tjerë në këtë takim ishin edhe nënkryetari i Odës, Naim Rudari dhe kryetari i Degës së OAK-së, në Gjakovë, Ergjyment Barbullushi.
Në këtë takim, përfaqësuesit e OAK-së, paraqitën rolin e Odës së Avokatëve të Kosovës, në sistemin e drejtësisë, me theks të veçantë tema kyçe e takimit ishte, diskutimi lidhur me Projekt-Kodin e Procedurës Penale, si dhe angazhimin e Odës në procesin e draftimit të Projekt-Kodit, gjatë grupeve punuese të Ministrisë së Drejtësisë.
“Rrustemi u informua për së afërmi për propozimet e OAK-së, të cilat në fazën aktuale të procedimit të këtij projekt Kodi, duhet të merren parasysh. Me qëllim të koordinimit të aktiviteteve lidhur me këtë ligj bazik, pas miratimit në shqyrtim të parë nga Kuvendi, në këtë fazë u theksua se pjesëmarrja e OAK-së, në dëgjimet publike të grupit punues janë të domosdoshme, me qëllim të aprovimit të propozimeve të dhëna nga OAK”, thuhet në kumtesën e OAK-së.
Përfaqësuesit e Odës theksuan gatishmërinë e OAK-së, për avancimin dhe ngritjen e standardeve në këtë Kod, përmes së cilave synohet respektimi i të drejtave të të gjithë qytetarëve dhe thjeshtëzimin e procedurës penale duke shtuar efikasitetin e duhur dhe përmirësuar ndjeshëm sistemin e drejtësisë në Kosovë./Gazeta Sinjali/