Oda e Afarizmit të Kosovës sot takoi bizneset anëtare, si rezultat i gjendjes së vështirë të të bërit biznes, ku u kërkua nga ana e bizneseve që Oda të ftojë në takim shefat e grupeve parlamentare, njofton Gazeta Sinjali.
Tema kryesore përgjatë këtij takimi ishte mos kalimi i Pakos së Rimëkëmbjes dhe mosshqyrtimi i kërkesave të bizneseve drejtuar Qeverisë dhe deputetëve, si dhe vështirësitë, të cilat janë krijuar për sektorin privat si pasojë e pandemisë.
Qëllimi i takimit me shefat e grupeve parlamentare është diskutimi lidhur me kërkesat e bizneseve rreth pakos së rimëkëmbjes ekonomike dhe votimit të saj në Kuvend.
Ftesa në mënyrë zyrtare i është dërguar shefave të grupeve parlamentare të: LVV, LDK, PDK, AAK dhe kryetarit të Nismës dhe takimi është planifikuar që të mbahet në zyret e OAK-së, nesër nga ora 09:00, para fillimit të seancës plenare, ku për herë të gjashtë pritet që të jetë si pikë e rendit të ditës Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike.
OAK pret që shefat e grupeve parlamentare të përgjigjen pozitivisht ndaj kësaj ftese dhe të jenë prezent në takim. /Gazeta Sinjali/