image OAK demanton raportimet për vonesën e rezultateve të Provimit të Etikës: Kandidatët ishin njoftuar paraprakisht, u citua një rregullore e shfuqizuar

Drejtësi

OAK demanton raportimet për vonesën e rezultateve të Provimit të Etikës: Kandidatët ishin njoftuar paraprakisht, u citua një rregullore e shfuqizuar

news image

Oda e Avokatëve të Kosovës ka reaguar ndaj raportimit lidhur me vonesën në publikimin e rezultateve të Provimit nga Kodi i Etikës Profesionale, duke i cilësuar ato si të pasakta dhe të mbështetura në një bazë juridike që nuk është më në fuqi.

Përmes një demanti, OAK bën të ditur se të gjithë kandidatët janë njoftuar qysh në ditën e mbajtjes së provimit, para përfundimit të testimit, se për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve dhe standardeve të larta të verifikimit, publikimi i rezultateve do të kërkonte më shumë kohë sesa zakonisht.

Sipas Odës, vonesa nuk lidhet me probleme organizative, por me vendimin administrativ që secili test t’i nënshtrohet një procesi të detajuar vlerësimi, duke u shqyrtuar së paku në dy faza të ndara dhe duke kaluar edhe procesin e verifikimit të ndërsjellë (cross-check), me qëllim eliminimin e çdo mundësie gabimi dhe garantimin e trajtimit të barabartë për secilin kandidat.

OAK kundërshton edhe bazën juridike të përdorur në raportim, duke theksuar se rregullorja e cituar në artikull është shfuqizuar dhe është zëvendësuar me Rregulloren për Provimin nga Kodi i Etikës Profesionale të Avokatëve, të miratuar më 15 prill 2025.

Sipas nenit 7 të kësaj rregulloreje, rezultatet shpallen “brenda një afati të arsyeshëm kohor”, pa përcaktuar ndonjë afat të pandryshueshëm kalendarik.

Tutje, Oda bën të ditur se kandidatët tashmë janë njoftuar zyrtarisht për afatin e publikimit të rezultateve, i cili është caktuar në funksion të përfundimit të të gjitha fazave të vlerësimit dhe verifikimit të testeve.

Në reagim theksohet gjithashtu se Provimi nga Kodi i Etikës Profesionale nuk është provim shtetëror, por procedurë e brendshme e Odës së Avokatëve, e nevojshme vetëm për regjistrimin në Regjistrin e Avokatëve, ndaj shtyrja e publikimit të rezultateve nuk cenon asnjë të drejtë të kandidatëve.

Duhet theksuar se Provimi nga Kodi i Etikës Profesionale nuk është provim shtetëror dhe nuk prodhon pasoja juridike jashtë procedurës së regjistrimit në Odën e Avokatëve të Kosovës. Ai përbën një procedurë të brendshme të Odës, e nevojshme ekskluzivisht për përmbushjen e kushteve për regjistrim në Regjistrin e Avokatëve. Për këtë arsye, shtyrja e publikimit të rezultateve nuk cenon asnjë të drejtë të kandidatëve. Përkundrazi, ajo garanton që secili kandidat të vlerësohet me saktësi maksimale dhe në përputhje me standardet e transparencës, objektivitetit dhe barazisë.”, thuhet në reagim.

Po ashtu, OAK njofton se ceremonia e betimit dhe regjistrimi i kandidatëve si avokatë nuk do të organizohen deri në publikimin e rezultateve përfundimtare dhe përfundimin e afatit për ankesa, me qëllim që i gjithë procesi të përmbyllet në mënyrë të rregullt dhe në përputhje me rregullat në fuqi.

Tutje, Oda shpreh keqardhje që raportimi është mbështetur në një akt normativ të shfuqizuar dhe u bën thirrje mediave që, para publikimit të informacioneve, të verifikojnë faktet dhe bazën juridike në fuqi, në mënyrë që opinioni publik të informohet saktë, objektivisht dhe në përputhje me standardet profesionale të gazetarisë.

Është për të ardhur keq që një raportim i tillë është mbështetur në një akt normativ që nuk është më në fuqi, duke krijuar një perceptim të pasaktë te opinioni publik dhe vetë kandidatët. Oda e Avokatëve të Kosovës pret nga çdo medium që, para publikimit të informacioneve, të verifikojë faktet dhe bazën juridike në fuqi, në mënyrë që opinioni publik të informohet drejt, objektivisht dhe në përputhje me standardet profesionale të gazetarisë.”, thekson OAK tutje.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/