Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka thumbuar përsëri kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, përmes një fragmenti të librit në Lëndën e Gjeografisë të klasës së VI-të, ku nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës janë të detyruar të përdorin.
Arifi ka thënë se në këtë libër thuhet se “Rrafshina e Kosovës dhe Metohisë përbën një tërësi të zonës ….”.
“Më poshtë po ndaj me ju një fragment të librit në Lëndën e Gjeografisë të klasës së VI-të, ku nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës janë të detyruar të përdorin. Në të cilën thuhet se “Rrafshina e Kosovës dhe Metohisë përbën një tërësi të zonës ….”.
Ai ka shtuar se nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës po detyrohen të mësojnë me librat e vitit 1996, ku Republika e Kosovës – quhet Kosovë dhe Metohi.
“Përderisa bashkëmoshatarët e tyre të komunitetit minoritar serb në Republikën e Kosovës, mësojnë sipas plan-programit arsimor të Serbisë, nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës detyrohen të mësojnë me librat e vitit 1996, ku Republika e Kosovës – quhet Kosovë dhe Metohi”, ka shkruar Arifi.
Arifi tha se më e shëmtuara është se disa institucione paralele në arsim financohen edhe nga Serbia edhe nga buxheti i Republikës së Kosovës.
“Më e shëmtuara është se disa institucione paralele në arsim finansohen edhe nga Serbia edhe nga buxheti i Republikës së Kosovës. Pra, siç duket politikat e proklamuara të “Reciprocitetit” po rezultojnë makulaturë dhe demagogji politike”.
Kujtojmë se në muajin shtator Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, duke komentuar zbatimin e marrëveshjes për targat ai ka treguar se si nxënësit shqiptarë në Luginë të Preshevës obligohen të intonojnë himnin kombëtar të Serbisë.