Dëmet e vendeve arkeologjike nuk janë edhe të rralla të cilat lënë për të dëshiruar siç ka ndodhur edhe rasti i fundit nga nxënësit e një shkolle të Prishtinës, raporton Gazeta Sinjali.
Nxënësit e shkollës ‘Faik Konica’ gjatë ekskursionit në Gjakovë e kanë dëmtuar shpellën e Kusarit.
Siç mëson Gazeta Sinjali, nxënësit kanë vizatuar grafite të ndryshme në mure, ulëse gjithashtu edhe në tabela të cilat tregojnë orientimin.
Ndërkohë, Drejtoria e Arsimit në Gjakovë përmes një statusi në Facebook ka bërë të ditur se pasi është njoftuar për rastin mësimdhënësja e shkollës në Prishtinë i është drejtuar Drejtorisë në Gjakovë me një letër.
Në letër thuhet se një nxënës është larguar nga turma teksa ata po largoheshin nga shpella e Kusarit pas vizitës, pastaj në rrjete sociale ka parë fotografitë se si është dëmtuar shpella dhe e ka kuptuar se këtë dëm e kanë shkaktuar nxënësit e saj.
“Kemi qenë në vizitë në Shpellën e Kusarëve në Gjakovë. Çdo gjë po shkonte mirë. Kur erdhi koha që të niseshim, vërej që mungon njëri nxënës. Nxitova menjëherë për ta gjetur. Ai ishte larguar që të bënte fotografi. Në ato momente me kaploi një shqetësim i madh, gjë që nuk e kam vënë re se ka pasur dëme (përreth). Por, ditën e premte, pashë (në rrjete sociale, medie) që po qarkullonin foto dhe se ata ishin fëmijët tanë. Për më shumë (detaje, sqarime), do të doja të takohesha me ju, nëse është e mundur, ditën e hënë. Ju kërkoj falje në emrin tim, të fëmijëve dhe të prindërve të tyre. Ju falënderoj shumë për mirëkuptimin”, shkruan në letrën e mësimdhënëses.