Gazeta Sinjali ka marr vesh nga burimet në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës se në përleshjen e sotme mes dy grupeve të nxënesve të mitur është përdorur arma e zjarrit.
Rasti ka ndodhur rreth orës 07:00 të mëngjesit në rrugën e UÇK-së, ku gjimnazistët, shumica dërmuese e të cilëve të mitur, janë përleshur në oborrin e shkollës fillore “Musa Hoti” të Mitrovicës.
Policia në vendin e ngjarjes ka gjetur një gëzhojë të armës së zjarrit pistoletë që dyshohet se është përdorur gjatë përleshjes mes të miturve të moshës rreth 17 vjeçare, por fatmirësisht plumbi nuk e ka goditur askënd.
Dy nga të përfshirët në këtë përleshje kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, pasi janë ankuar për dhimbje koke si pasojë e rrahjes.
I pyetur rreth informacioneve që posedon Gazeta Sinjali, zëdhënësi i policisë për Rajonin e Mitrovicës e ka konfirmuar përdorimin e armës.
“Ende detaje të plota të kësaj ngjarje nuk i kam, por që është zgjeruar numri i të dyshuarve për përfshirje në këtë rast. Janë intervistuar edhe disa persona të tjerë, përveç atyre katërve të arrestuarve më herët. Po ashtu në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë, që dyshohet se është përdorur nga arma e zjarrit, ndërsa ende nuk edhe gjetur arma.”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Gazeta Sinjali merr vesh se, lidhur me këtë rast, janë intervistuar nga policia nëntë të dyshuar me inicialet: E.B., A.N., A.T., D.K., A.XH.,M.XH., B.S.,A.O., A.H.,.
Nxënësi me inicialet E.B është i vetmi i dyshuar nga grupet e përfshira në rrahje, që ka arritur moshën madhore. Ndaj tij, Prokuroria Themelore ka udhëzuar që të ngritet kallëzim penal për veprat: shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, mbajtje në pronësi, kontrollë ose posedim i paautorizuar i armës dhe përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm, ndërsa lidhur me përfshirjen e të dyshuarve të tjerë të mitur është njoftuar prokurori kujdestar i Departamentit për Krime të Rënda ku sipas tij, rastit i është shtuar edhe vepra lëndim trupor.
Me urdhër të prokurorit, të gjithë të dyshuarit pas intervistimit, janë liruar ndërsa rasti trajtohet në procedurë të rregullt. /Gazeta Sinjali/