image "Nxënësi është agresiv, babai i tij e ka kërcënuar drejtorin" - Nga Drejtoria e Arsimit thonë se i mituri nuk është rrahur në shkollë

Arsim

“Nxënësi është agresiv, babai i tij e ka kërcënuar drejtorin” – Nga Drejtoria e Arsimit thonë se i mituri nuk është rrahur në shkollë

news image

Gazeta Sinjali raportoi sot se një nxënës i shkollës fillore “Shkëndija” në Suharekë dyshohet se është keqtrajtuar fizikisht nga drejtori i shkollës, Ilmi Shala. Drejtori ka deklaruar në Polici se nuk e ka rrahur e as keqtrajtuar nxënësin, por vetëm e ka qortuar.

Për të marrë më shumë informacione se çfarë ka ndodhur dje në shkollën “Shkëndija”, Gazeta Sinjali ka kontaktuar drejtorinë e Arsimit në Suharekë.

Sipas drejtorit të kësaj drejtorie Remzi Bajselamani, Shala vetëm e ka kapur për krahu nxënësin e klasës së gjashtë, por nuk e ka rrahur.

Ai ka treguar për Sinjalin se ky nxënës është agresiv dhe ka vërejtje për sjellje jo të mira.

“Mësuesja e ka lajmëruar drejtorin se nxënësi po përdorë telefonin në klasë, nxënësi është mjaft agresiv. Sipas drejtorit nxënësi ka pesë vërejtje dhe mbi 120 mungesa të paarsyeshme. Nxënësi është në klasën e gjashtë. Kur drejtori ka shku në klasë e ka marrë atë dhe i ka thënë “sillu mirë edhe kaq. Vetëm për krahu e ka marrë dhe ia ka marrë telefonin”, tha Bajselmani për Sinjali.

Tutje, drejtori i Arsimit thotë se prindi e ka kërcënuar drejtorin e shkollës, posa fëmija i tij e njoftoi për rastin.

“Nxënësi ka shku edhe e ka thirrë prindin e vet edhe ai është sjellë keq me drejtorin. Prindi në një far forme e ka kërcënu drejtorin. Policia e ka intervistu drejtorin dhe ka dhënë një deklaratë”, tha ai.

Policia e mori informatën për këtë ngjarje, pasi në momentin kur ndodhi rasti, një zyrtar policor po regjistronte fëmijën e tij në shkollë.

“Në ato momente, aty ka qenë një zyrtar policor i cili e ka regjistruar fëmijën në klasë të parë dhe e ka lajmëru Policinë. Pastaj Policia ka intervenuar”, shtoi Bajselmani.

Ndonëse sipas Policisë fëmija është dërguar në QKMF për trajtim dhe ka pasur lëndime të lehtë në fytyrë, sipas drejtorisë së Arsimit, nxënësi nuk ka asnjë lëndim.

“Fëmija sipas mjekëve nuk ka pasur asnjë lëndim. Në po mbledhim informata dhe do të jemi në koordinim me Prokurorinë”, përfundoi Bajselmani për Sinjalin.

Me vendim të prokurorit, rasti në Polici është hapur si “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” dhe do të hetohet në procedurë të rregullt.
/GazetaSinjali/