Rastet e dhunës në familjet kosovare nuk po kanë të ndalur. Pothuajse çdo ditë raportohen dhjetëra të tilla, ku në shumicën prej tyre viktima janë gratë, të cilat përjetojnë dhunë fizike e psikike nga bashkëshortët e familjarët e tjerë, raporton Gazeta Sinjali.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar së fundi një grua në Gjilan, e cila ka denoncuar vjehrrin e saj për kanosje.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjithçka ka ndodhur pas një konflikti verbal mes tyre, ku më pas 68-vjeçari ka eskaluar në dhunë verbale duke e kërcënuar bashkëshorten e djalit të tij.
Si rezultat i denoncimit, i moshuari është shoqëruar në stacion policor dhe i njëjti është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Kanosje’ dhe ai është dërguar në mbajtje.