Një rast i dhunës në familje është raportuar mbrëmjen e së enjtes në fshatin Gadime e Ulët të Lipjanit, ku një 20-vjeçare ka denoncuar vjehrrën e saj për dhunë fizike dhe psikike, mëson Sinjali nga burime të afërta me rastin.
Burimet bëjnë të ditur se viktimë është B. S. rreth 20 vjeç, ndërsa e dyshuar S.A. rreth 55 vjeç.
Sipas informatave, rasti është raportuar më 14 maj 2026 rreth orës 22:45, ndërsa njësitë patrulluese kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Sinjali mëson se 20-vjeçarja ka deklaruar para Policisë se vjehrra e saj kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj.
Viktimës i është ofruar ndihmë mjekësore, ndërsa në trajtimin e rastit janë përfshirë edhe njësia për dhunë në familje dhe Qendra për Punë Sociale në Lipjan.
Pas intervistimit të palëve dhe konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”, dhe është proceduar në procedurë të rregullt.
Me rekomandim të institucioneve përkatëse, viktima është dërguar te familjarët e saj në Viti.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!