Një rast i rëndë që dyshohet se përfshin keqtrajtimin e dy fëmijëve të mitur është raportuar mbrëmjen e së premtes në fshatin Uglarë të Graçanicës.
Sipas informacioneve të siguruara nga burime të besueshme, më 5 qershor 2026, rreth orës 22:00, Policia ka pranuar një denoncim se një grua po keqtrajtonte vajzën dhe djalin e saj të mitur.
Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë vënë nën kontroll të dyshuarën, M. M. Më pas ajo është shoqëruar bashkë me fëmijët në Stacionin Policor në Graçanicë.
Burimet bëjnë të ditur se gjatë alkotestimit, e dyshuara ka rezultuar nën ndikimin e alkoolit, me 0.90 promilë alkool në organizëm.
Në prani të punëtorit social, dy fëmijëve u është ofruar ndihmë mjekësore, ndërsa edhe e dyshuara është dërguar për ekzaminim në Klinikën e Psikiatrisë në Prishtinë.
Pas përfundimit të procedurave dhe konsultimit me prokurorin kujdestar, ndaj saj është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Ndërkohë, për sigurinë dhe kujdesin e fëmijëve është përkujdesur Shërbimi Social, i cili i ka vendosur ata përkohësisht te familjarët e afërt, përkatësisht te motra dhe vëllai i të dyshuarës.
Me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti penal “Keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave janë në vazhdim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!