image Numërohen shumica e votave, ja sa deputetë do t'i kenë shqiptarët në Mal të Zi

Rajon

Numërohen shumica e votave, ja sa deputetë do t’i kenë shqiptarët në Mal të Zi

news image

Vijon procesi i numërimit të votave në Mal të Zi, për zgjedhjet parlamentare të zhvilluara gjatë ditës së djeshme.

Votimi u mbyll zyrtarisht në orën 20:00, ndërsa deri më mbrëmë vonë ishin numëruar mbi 87% të votave dhe nga projeksionet e para kryeson partia e presidentit Milo Gjukanoviç, me 34.8% të votave, pra 29 deputetë.

Por, pavarësisht se kryeson, partia e Gjukanoviç i ka humbur zgjedhjet, pasi dy partitë opozitare kanë siguruar më shumë deputetë.

Vetëm opozita deri tani ka një rezultat të njëjtë me Gjukanoviç, me po 29 mandate deputetësh, pra mbi 33% të votave, ndërsa partia opozitare “Paqja është Kombi ynë” ka marrë 12.5% të votave, pra 10 deputetë.

Ndërkohë, dy koalicionet shqiptare kanë arritur të sigurojnë dy deputetë në Kuvendin e Malit të Zi. Kështu, në bazë të 87% të votave të numëruara, Lista Shqiptare deri më tani ka marrë 1.4% të votave, duke siguruar kështu një mandat, si dhe Koalicioni Shqiptar ka siguruar 1.1% të votave, duke siguruar edhe ky një mandat deputeti.

Pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte befasi, sidomos e shqiptarëve që jetojnë atje, që ishte rreth 65%.

Një rritje të konsiderueshme të votuesve shqiptarë ka pasur në orët e fundit. Befasuese ishte pjesëmarrja në votime në të gjithë territorin e Malit të Zi, me afro 80%.

Kjo shënoi një rritje me rreth 14% nga zgjedhjet e fundit të 2016, e cila shpjegohet me nxitjen e elektoratit gri për të marrë pjesë në votime. /Gazeta Sinjali