Prof. Asoc. Dr. Ilir Q. Tolaj
Mbreti Pirro pati fituar disa beteja kundër romakëve. Napoleoni, gjithashtu, e pat mundur Kutuzovin në betejën e Borodinos, në afërsi të Moskës. Por që të dy i humbën luftërat e tyre. Hubjet në “fitoret” e Pirros dhe të Napoleonit ishin aq të mëdha, sa që, si Pirro ashtu edhe Napoleoni, u deshën të pajtoheshin me humbjen përfundimtare të tyre. E shembuj të tillë gjatë historisë ka mjaft.
A ka analogji të këtillë për betejën tonë kundër Covid 19 në Kosovë?
Numri i rasteve të personave të infektuar është ende i vogël, ndërsa numri i të vdekurve nuk është as për së afërmi alarmues. Sistemi shëndetësor i Kosovës, pavarësisht të metave të tij, nuk është i ngarkuar nga Covid 19 pandemia as për 10% të kapacitetit të tij. Gjendja me Covid 19 po duket se është nën kontroll. Tash për tash.
Askush nga përgjegjësit deri tash nuk është në gjendje të na tregojë se në çfarë faze të epidemisë jemi, sa persona përafërisht mendohet se janë të infektuar në Kosovë, a do të ketë valë të dytë të epidemisë si pasojë e masave të ndërmarruara të kufizimeve të këtij niveli në Kosovë. Përkundër kësaj, masat e karantimit po vazhdojnë, e me to edhe pasojat për jetët tona, të cilat gjithashtu askush nuk i ka analizuar sa e si duhet. Por edhe pa analizë një po dihet që tash, pasojat në shumë dimensione do të jenë të rënda dhe vështirë të përballueshme për shumë nga ne.
Mantra se po veprojmë sipas “rekomandimeve të ekspertëve të institutit të shëndetit public” nuk e arësyeton askend. Madje as në rastin më të mirë kur ekspertët e institutit të shëndetit publik do të dinin se çfarë po bëjnë. Gjë që nuk mund të them të njejtën gjë për këta tonët. Është një të merren të plota rekomandimet e OBSH-së, e tjetër që ato të adaptohen sipas kushteve ekzistuese tek ne. Edhe vet OBSH, ashtu si edhe autoritet tjera mjekësore relevante, e pranojnë se veqoritë e pandemisë nuk janë të njeta në çdo vend. Dallon popullata, mosha e tyre, stili i jetës, praktikat e përgjithshme, e shumë gjëra tjera, të cilat kanë ndikim në ecurinë e pandmisë dhe parmasat e saj në një vend të caktuar. Prandaj edhe masat specifike mund dhe duhet të jenë të ndryshme. Duke i respektuar kuptohet ato themeloret që nënkuptojnë distancimin social bazik. Shumë nga faktorët rëndues që kanë ndikuar në pasojat më të rënda të pandemisë në vende të ndryshme, nuk janë prezent tek ne. Këtë e kam treguar në shkrimet e mëhershme dhe kjo nuk është kontestuar nga askush. Nga fakti se janë të vërteta.
Autoritetet tona qeverisëse mjekësore nuk duhet të kënaqen me rolin e intendantit në kohë pandemie, por duhet të jenë të guximshme që të marrin vendimet e duhura që fitoren e betejës nga Covid 19 në Kosovë mos ta shëndrrojnë në fitore të Pirros. Askujtë nuk i hyn në punë fytyra e “shënjtorit” dhe zëri prej “predikuesi” i një përgjegjësi për situatën në të cilën jemi. Duhen veprime që do ta bëjnë më të lehtë kthimin në normalitet në kohë optimale. Dhe ajo kohë është tash.
E shteti duhet ta monitorojë situatën dhe të veprojë nëse ka shenja se situata po merr kahje të padëshiruar.
Njerëzit tashmë janë të vetëdijshmë se përgjegjësia individuale dhe vetëm ajo individuale e secilit në kohë pandemie për sjelljet konform asaj që tash po quhet distancim social dhe mbajtja fanatike e higjienës së duarve, nuk mund të zëvëndësohen me asnjë masë restriktive të tipit të këtyre që i kemi.
Edhe diçka, sygjerimet e mia nuk kanë kurrëfarë parapavije politike apo të çfarëdo natyre tjetër. Janë sygjerime profesionale dhe me qëllim të mirë. Ashtu edhe duhet të konsiderohen edhe të përdoren.
Ilir Q. Tolaj është specialist infektolog dhe professor i asociuar për sëmundjet infektive