image Nuk ka vendim të ri, kosovarët nuk mund të shkojnë në Mal të Zi pa bërë testin

Rajon

Nuk ka vendim të ri, kosovarët nuk mund të shkojnë në Mal të Zi pa bërë testin

news image

Autoritetet e Malit të Zi, sot në mbrëmje kanë paraqitur edhe njëherë masat kundër COVID-19, kështu, ende nuk ka vendim për hyrjen e kosovarëve në Mal të Zi, pa bërë testin për koronavirus.

Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë së Malit të Zi është bërë e qartë se hyrja për qytetarët e Kosovës në këtë vend është e mundur vetëm me testim paraprak negativ për COVID-19.

Kjo masë është marrë pas rritjes së rasteve të reja me koronavirus në Kosovë, pasi që njëherë ishte i lejuar kalimi në kufi.

Në pikën ku jepen informata për hyrjen në Mal të Zi të të huajve, Kosova është pjesë e “listës së verdhë”. Pjesë e kësaj liste janë edhe Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Turqia, Izraeli, Ukraina dhe Singapori. Në njoftim janë dhënë detaje se cilat kushte duhet të plotësohen për hyrje në Mal të Zi të qytetarëve nga “lista e verdhë”.

“Me rezultat negativ të testit PCR apo ELISA për COVID-19, të vjetër jo më shumë se 72 orë, nëse plotësohen tri kushtet në vazhdim: 1. Është rezident i një vendi nga ‘lista e gjelbër’ apo nga ‘lista e verdhë’; apo ka qëndruar më së paku 15 ditë para hyrjes në Mal të Zi në një shtet nga ‘lista e gjelbër’ apo nga ‘lista e verdhë’. 2. Nuk ka qenë për periudhë prej 15 ditësh para hyrjes në Mal të Zi në ndonjë vend jashtë ‘listës së gjelbër’ apo ‘listës së verdhë’ 3. Nuk ka udhëtuar në një vend apo nëpërmjet një vendi jashtë ‘listës së gjelbër’ apo ‘listës së verdhë’ pos transit (transiti është udhëtim pa ndalje, që dëshmohet duke inspektuar dokumentin e udhëtimit”, thuhet në njoftim.

Për banorët e Kosovës, Shqipërisë dhe Bosnjës, është paraparë edhe kalimi transit nëpër Mal të Zi. Kalimi transit lejohet pa test, por duke kontrolluar kohën e qëndrimit të tyre brenda territorit të Malit të Zi./ Gazeta Sinjali/