Në Kosovë janë shpërndarë mbi 100 mijë vaksina kundër gripit sezonal. 12 mijë sosh janë dhënë vetëm në rajonin e Prishtinës.
Sezoni për vaksinim kundër gripit ka përfunduar me 20 dhjetor, por kërkesa për vaksinim në Qendrat e Mjekësisë Familjare është ende e madhe, transmeton Gazeta Sinjali.
Shefi i Njësisë së Vaksinimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Nexhmedin Hoti, në një intervistë për EO ka thënë se shumë prej pacientëve kanë mbetur pa marrur vaksinën, por kjo për shkak të neglizhencës së tyre.
“Pacientët e interesuar dhe ata që kanë qenë me indikacione për marrjen e vaksinës së gripit, vaksinën e kanë marrë, ka pacientë që kanë mbet pa e marrë vaksinën e gripit për shkak të neglizhencës së tyre apo për çfarë arsye nuk e di po që kanë ardhur me vonesë ata nuk kanë pasur mundësi me pas vaksinë se janë kryer vaksinat e gripit. Dmth është një pakicë e njerëzve që vijnë herë pas here pyesin a ka, a kanë mbetur vaksina të gripit. Por, vaksina të gripit në Prishtinë nuk kanë mbetur dhe nuk ka. Po mendoj në QKMF e Prishtinës. Ngase të gjitha vaksinat e dedikuara për ne i kemi aplikuar te personat të cilët kanë pasur nevojë për me marrë këtë vaksinë”, theksoi ai.
E për qytetarët të cilët ende nuk kanë marrur vaksinën, zgjidhja është se duhet të vizitojnë ndonjë barnatore për të gjetur, edhe pse sasia e tyre është shumë e vogël. Çmimi i një vaksine kundër gripit sezonal, kushton 12.50 euro.
Por sipas Ministrisë së Shëndetësisë, secili qytetar që dëshiron të vaksinohet duhet të kontaktojë me personat përgjegjës në njësitë e vaksinimit./ Gazeta Sinjali