Pas paralajmërimit të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, për masat e reja të cilat pritet të hyjnë në fuqi nga e premtja, duke kufizuar kështu orarin e punës së hotelerisë dhe gastronomisë deri në orën 19:00, ka reaguar Shoqata e Gastronomëve, shkruan Gazeta Sinjali.
Kjo shoqatë i ka kundërshtuar fuqishëm këto masa, pasi që thonë se nuk kanë marrë premtimin e qeverisë se do të kenë përkrahje financiare për këtë mbyllje.
“Ne si Shoqatë e Gastronomëve të Kosovës, kërkojmë që URGJENTISHT Qeveria të dalë me qëndrim zyrtar lidhur me kërkesat kryesore të sektorit të gastronomisë, për krijimin e Pakos Ekonomike për Gastronomi, në vlerë së paku prej 10 milionë eurosh, detajet e së cilës janë:
1. Subvencionimi i shpenzimeve operative deri në përfundimin e pandemisë (mbulimet e qirasë, pagat e punëtorëve);
2. Shtyrje të afatit të kësteve të kredive, dhe kthimit të mbitërheqjeve deri në përfundimin e pandemisë;
3. Pagesa direkte për bizneset e gastronomisë, sipas vlerësimit të situatës;
4. Lejimi i shërbimeve me porosi (delivery) pas orës 19:00, edhe në komunat me rrezikshmëri të lartë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e tyre.
Kjo shoqatë vlerëson se situata në sektorin e gastronomisë është jashtëzakonisht e rëndë. Andaj, paralajmëron që nëse brenda afatit kohor prej shtatë (7) ditësh nuk merren parasysh kërkesat tona vitale dhe nuk marrin asnjë konfirmim zyrtar për këtë çështje, do të rrisin kundërshtimet, veprimet dhe reagimet e tyre./Gazeta Sinjali/