Gazeta Sinjali sot raportoi se një 30-vjeçar, e ka sulmuar një nxënës 9-vjeçar në oborrin e shkollës së mesme të ulët “Besim Ndrecaj” në fshatin Maqitevë të Suharekës.
Burime të Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se ky rast ka ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshje në mes të 9-vjeçarit dhe fëmijës së 30-vjeçarit të përfshirë në këtë rast.
Këto burime kanë bërë të ditur se për shkak të mosmarrëveshjes së shkaktuar në mes të dy fëmijëve, 30-vjeçari, Liridon Aliaj dyshohet se ka shkuar dhe e ka goditur me grushte 9-vjeçarin në oborrin e shkollës.
Gazeta Sinjali për këtë rast ka kontaktuar edhe me Drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani, i cili ka thënë se 9-vjeçari është pa të dy prindërit.
“Është një rast i ndjeshëm, për shkak se 9-vjeçari është jetim, pa dy prindërit, mirëpo i njëjti është shumë problematik dhe mjaft i pasjellshëm. Ai krijon situata shumë të pafavorshme dhe shumë të pavolitshme”, tha ai.
Sipas Bajselmanit, 9-vjeçari nuk është sulmuar me grushte, por vetëm “është prekur” nga Liridon Aliaj.
“9-vjeçari, sipas drejtorit të shkollës, vetëm është prekur nga Liridoni. Ai ka filluar të shkarravitet dhe i ka bërë ca sjellje aty, sepse është mësu ashtu me u trajtu. Më duket se drejtori e ka menaxhu këtë rast, sepse deri më tani nuk më ka njoftuar askush tjetër përveç drejtorit.”
Gazeta Sinjali e ka informuar drejtorin e Drejtorisë së Arsimit se rasti është iniciuar tek organet kompetente dhe se 30-vjeçari i dyshuar është dërguar në Shtëpinë e Shëndetit, për shkak se dyshohet të ketë sëmundje mentale.
Por, një gjë e tillë u mohua nga Bajselmani, i cili ngriti dyshimin se ky rast është montuar nga familjarët.
“Jo, nuk është e vërtetë, veç nëse kanë kriju familjarët ndonjë situatë për me dalë më lehtë jashtë prej asaj, sepse nuk kam informata që është i sëmurë.”
Gazeta Sinjali lidhur me këtë rast ka kontaktuar edhe me drejtorin e shkollës së mesme të ulët “Besim Ndrecaj”, Elmi Aliu, i cili ka dhënë detaje për rastin.
“Rreth orës 12:20, një prind, Liridon Aliaj edhe në bazë të dëshmitarëve, nxënësve, nuk ka bë problem me askënd, ai që 4 vite me radhë e sjellë fëmijën në shkollë”.
Njëjtë sikurse drejtori i Arsimit, Remzi Bajselmanaj, edhe drejtori i shkollës, Elmi Aliu e ka mohuar faktin se Liridon Aliaj është i sëmurë mental.
“Ai nuk është i sëmurë mental, por nuk është i aftë për punë, asnjë punë ai nuk e punon, veç në bagëti. Ai me e ngucë, nuk e ka ngucë kurrë askënd”.
Drejtori i shkollës ka treguar për Gazetën Sinjali se i dyshuari i ka thënë se në të vërtetë ky kishte qenë viktima e jo agresori.
Sipas tij, nuk u besohet fëmijëve kur thonë se 30-vjeçari e ka sulmuar me grusht 9-vjeçarin.
“Ky djali 9-vjeçar, gjoja se e ka sha, e ka fy dhe Liridoni i ka ra njëherë në shpinë. Qeshtu po thonë, unë nuk e di, unë flas në bazë të dëshmitarëve, fëmijët i zmadhojnë gjërat, fëmijëve nuk iu besohet.”
Sipas drejtorit të shkollës, Liridon Aliaj, 30-vjeçari, i cili dyshohet se e ka sulmuar 9-vjeçarin në oborrin e shkollës, e mohon ta ketë prekur fare nxënësin.
“Liridoni më ka thënë se unë nuk e kam prekë, por ai ka dashtë me më gjujt mua shqelm dhe është rrëzu vetë, në bazë të fjalëve të Liridonit.”
Drejtori i shkollës e ka përjashtuar mundësinë e vërtetimit të cilitdo version të dhënë nga palët e përfshira në këtë rast, pasi që sipas tij kamerat e sigurisë nuk e mbulojnë vendin e ngjarjes, ani pse në fillim tha se kamerat e mbulojnë çdo cep të shkollës.
Në pyetjen e Gazetës Sinjali ndaj Aliut, se a ka informacion nëse në mes të 9-vjeçarit dhe fëmijës së Liridon Aliajt ka pasur ndonjë mosmarrëveshje, ai tha se nuk ka ndonjë informacion, sepse nuk ka qenë aty.
“Kur kemi shku me e marrë 9-vjeçarin nga oborri, 1 orë e kemi mbajtë aty, në zyrë, nuk kemi evidentu asnjë lëndim, sepse nëse do e kishim pa ndonjë shenjë edhe ne do e kishim dërgu te mjeku, por më pas e kanë marrë familjarët dhe e kanë dërgu në emergjencë.”
Gazeta Sinjali ka provuar të kontaktojë edhe me kujdestaren e klasës, për të marrë edhe versionin e saj lidhur me rastin, mirëpo e njëjta ka qenë e paqasshme./Gazeta Sinjali/