Haxhi Xhemajli, familjari i 23-vjeçares nga Drenasi, Zarife Imeri, e cila ndërroi jetë dje, ka bërë një postim prekës në Facebook, ku ka shkruar se ai nuk do të gjejë qetësi deri në momentin kur do të zbardhet e vërteta për vdekjen e mbesës së tij, shkruan Gazeta Sinjali.
Në këtë postim ai ka shkruar se dikush duhet të japë llogari për vdekjen e Zarife.
“Mbesa ime vdekja jotë është ende misterjoze. Nuk do gjej qetësi deri në zbardhjen e së vërtetës. Dikush do të jep llogari të betohem“, ka shkruar ai në Facebook.
Kujtojmë se Klinika Emergjente e QKUK-së nëpërmjet një reagimi të bërë dje kanë thënë se vdekja e 23-vjeçares nga fshati Zabel i Drenasit është si pasojë e hemorragjisë intraabdominale (gjakderdhje në bark), shok hemorragjik.
Tutje ata kanë shtuar se familjarët e viktimës kanë refuzuar obduksionin.
“Përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi i Klinikën Emergjente, pacientja nuk arriti të mbijetonte, vdekja konstatohet në ora 17:45. Diagnoza përfundimtare e vdekjes ishte hemoragjia intraabdominale ( gjakderdhje në bark), shok hemoragjik. Familjarët kanë refuzuar abduksionin”, thuhet në reagim.
Ndryshe, daja i viktimës, Haxhi Xhemajli po pretendon se mbesa e tij, ka ndërruar jetë për shkak të vaksinimit.
Ai thotë se mbesa e tij është vaksinuar në Qendrën e Vaksinimit në Drenas, më 13 shtator rreth orës 15:29 dhe 48 orë më pas, ka ndërruar jetë.
“U detyrove të vaksinohesh që të qëndron në vendin e punës. Ajo vaksinë pas 48 orësh të shkaktoi vdekjen. Mos na detyroni, mos na kushtëzoni. Prehu në paqe, mbesa jonë”, shkroi dje ai në Facebook. /Gazeta Sinjali/