Pak më parë, Gazeta Sinjali publikoi emrat e katër zyrtarëve komunalë të Novobërdës që dyshohet se e kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim të pozitës zyrtare”, ndërsa tani iu sjell detaje se si ka ndodhur ky rast.
Sabedin Vllasaliu, Adem Abazi, Predrag Stankoviç, Nenad Dimiç janë katër zyrtarët e arrestuar sot në komunën e Novobërdës.
Siç mëson Gazeta Sinjali, Vllasaliu ka marrë pagë pa punuar nga 1 prilli i vitit 2019 deri më 31 dhjetor 2021. Në total, për tri vjet ai i ka shkaktuar dëm buxhetit të komunës në vlerë prej 13 mijë euro.
Në lidhje me këtë rast, Krimet Ekonomike dhe Korrupsionit bashkë më Prokurorinë Themelore në Gjilan kanë siguruar dëshmi se Sabedin Vllasaliu derisa ushtronte pozitën e zyrtarit për zhvillim ekonomik në Komunën e Novobërdës, nga prilli i vitit 2019 deri në dhjetor të vitit 2021 asnjëherë nuk ka dalë në vendin e tij të punës.
Siç mëson Sinjali, gjatë kësaj periudhe ai ka qëndruar në Slloveni por ka marrë pagë mujore prej 427 euro.
Sipas burimeve të Sinjalit dy të dyshuarit tjerë, Adem Abazi dhe Predrag Stankoviq, sa ishin drejtorë të Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Novobërdës, ia kanë mundësuar të dyshuarit Sabedin Vllasaliu të marrë pagë mujore pa dalë në punë fare dhe nuk kanë marrë asnjë veprim që ta largojnë atë nga lista e personave me pagë.
Ndërkaq, i dyshuari tjetër, Nenad Dimiç, derisa ishte duke ushtruar pozitën e Drejtorit të Zhvillimit Ekonomik në një periudhë të caktuar, nuk kishte ndërmarrë veprime për ta larguar Vllasaliun nga lista e pagave.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.