image Noterët paralajmërojnë se do ta çojnë në gjyq Albulena Haxhiun, u përgjigjet ministrja e Drejtësisë

Kosovë

Reagim/ Noterët paralajmërojnë se do ta çojnë në gjyq Albulena Haxhiun, u përgjigjet ministrja e Drejtësisë

news image

Vendimi i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut për ta anuluar procesin e emërimit të noterëve të rinj do të sfidohet ligjërisht nga këta të fundit, të cilët kanë paralajmëruar se do t’i ndjekin rrugët ligjore për ta kundërshtuar “vendimin e jashtligjshëm të Haxhiut”. Në anën tjetër, ministrja u është përgjigjur paralajmërimit të noterëve duke paralajmëruar se nuk do të ketë tolerancë në rast të “tejkalimit të kompetencave” të kandidatëve për noterë, shkruan Gazeta Sinjali.

Para disa ditëve, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka vendosur që ta anulojë procesin e shumëpërfolur të emërimit të noterëve të rinj. Në një konferencë për media, Haxhiu kishte thënë se procesi nuk ishte ligjor dhe as transparent dhe për këtë arsye mund ta shtyjë përpara një proces të komprometuar.

Lidhur me këtë ka reaguar një grup i kandidatëve për noterë, të cilët i penalizoi ky vendim i ministres. Siç thonë ata, janë takuar dhe dakorduar që të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për të kundërshtuar këtë vendim, që sipas tyre është i padrejtë dhe i jashtëligjshëm.

Veç tjerash, ata thonë se do t’i njoftojnë institucionet qendrore vendore dhe ato ndërkombëtare me mission në Kosovë për pakënaqësitë e tyre.

“Sot u takuan një grup i kandidatëve për noterë, të cilët janë prekur me vendimin e MD për kthimin e procesit të përzgjedhjes në pikën zero. Ky grup u pajtua që të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për të kundërshtuar vendimin e padrejtë dhe të jashtëligjshëm të minstres Albulena Haxhiu. Po ashtu u vendos që për pakënaqësitë e tyre të njoftohen të gjitha institucionet qendore dhe ndërkombëtare me mision në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Pas këtij paralajmërimi, Haxhiu ka bërë një reagim në Facebook duke arsyetuar vendimet e Ministrisë së Drejtësisë.

“Ministria e Drejtësisë e ka për obligim të mbikqyrë punën e noterëve, përmbaruesve dhe ndërmjetësuesve. Gjatë këtyre ditëve, kam parë shqetësime të qytetarëve lidhur me shkeljen e detyrave nga disa përmbarues dhe noterë”, ka shkruar ajo.

Tutje, ministrja bën lutje që secilën ankesë ta formalizojnë e procedojnë në Ministri të Drejtësisë sepse, siç thotë ajo, secilën ankesë do ta adresojnë dhe nuk do ta neglizhojnë sikur ka ndodhur në të kaluarën.

“Secili prej nesh, përfshirë edhe përmbaruesit dhe noterët, duhet të veprojmë vetëm në bazë të ligjit dhe nuk duhet të ketë tejkalim të kompetencave. Tejkalimin e kompetencave, abuzimin e tyre apo moszbatimin e detyrave, nuk do ta tolerojmë”, përfundon reagimi i Haxhiut.

Ndryshe, Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu ka anuluar procesin e noterisë të mbajtur në prill të vitit të kaluar, nga ana e qeverisë që në atë kohë udhëhiqej nga Ramush Haradinaj.

Për emërimin e noterëve të rinj kishte reaguar edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke kërkuar anulimin e këtij procesi. Megjithatë, deri në fund të mandatit të tij, ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri refuzonte me ngulm që ta anulonte këtë proces./GazetaSinjali/

https://www.facebook.com/hapeporten/posts/3383592208378213