image Norvegjia ia dhuron Ukrainës 205 milionë dollarë për të blerë gaz

Botë

Norvegjia ia dhuron Ukrainës 205 milionë dollarë për të blerë gaz

news image

Qeveria norvegjeze do t’ia ofrojë Ukrainës 205 milionë dollarë për t’i dalë në ndihmë në blerjen e gazit, raportoi BBC-ja të hënën.

Kryeministri i Norvegjisë, Jonas Har Store, deklaroi se Ukraina ia ka kërkuar këtë ndihmë Norvegjisë, për sigurimin e gazit gjatë dimrit, derisa bëri të ditur se deri në fund të vitit do të ndahen edhe mjete të tjera financiare.

“Kontributi ynë në blerjen e gazit, ndër të tjera, do të ndihmojë në ruajtjen e nxehtësisë në spitalet dhe shkollat e Ukrainës gjatë dimrit, si dhe do të japë më shumë mundësi për të përgatitur ushqim të nxehtë”, deklaroi Har Store, në konferencën “Northern Sea Shelf”, që u mbajt në Norvegji, në të cilën mori pjesë edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Ky deklaroi se pavarësia e Evropës nga Rusia në sektorin e energjisë është e një rëndësie të veçantë për tërë evropianët.

“Ne të gjithë e shohim se kërcënimi i krizës energjetike po bëhet real për dhjetëra miliona njerëz në Evropë, të cilët deri vonë mund ta përballonin konsumin normal të energjisë. Të gjithë shohim se çmimi i energjisë është aq i lartë sa mijëra ndërmarrje kanë kaluar në krizë”, theksoi Zelensky.

Sipas tij, Rusia, që e organizoi këtë krizë artificiale me transportuesit e energjisë, po “i përkrah” vendet evropiane të heqin dorë nga vlerat evropiane, në favor të uljes së çmimeve.

“Rusia po e përdor terrorin ekonomik, presionin e krizës së çmimeve dhe varfërinë për ta dobësuar Evropën në një kohë kur fuqia e saj e plotë është e nevojshme për të mbrojtur kundër terrorit në luftën që Rusia ka zhvilluar për më shumë se gjashtë muaj”, tha tutje presidenti ukrainas.

/GazetaSinjali/