image NjSI-ja dhe Sindikata e Policisë dalin me 14 kërkesa për Qeverinë

Kosovë

NjSI-ja dhe Sindikata e Policisë dalin me 14 kërkesa për Qeverinë

news image

Pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese dhe Sindikata e Policisë kanë dalë për të protestuar të shtunën para qeverisë.

NjSI-ja dhe Sindikata janë duke protestuar për shkak të pagave, shtesave të rrezikshmërisë, sigurimeve shëndetësore dhe kërkesave të tjera.

Imer Zeqiri, kryetar i Sindikatës së Policisë, tha se janë mbledhur për t’i paraqitur kërkesat e të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovë drejtuar Qeverisë.

Ai tha se ka pasur takime e i janë dërguar shkresa zyrtarëve të shtetit, si dhe peticionin me rreth 5700 nënshkrime, për çka tha se ende nuk kanë marrë përgjigje.

Zeqiri tha se kanë 14 kërkesa ndaj qeverisë, duke i listuar më poshtë:

1. Përmirësimi i kushteve të punë në përgjithësi, siç janë, veshmbathjet, mjetet e punës, mjetet logjistike, objektet policore duke pasur parasysh se disa objekte policore dhe automjete, si dhe pajisje tjera të domosdoshme për kryerjen e detyrave zyrtare, nuk i plotësojnë kushtet minimale për punë.

2. Rrezikshmëria për zyrtarët policorë të jetë permanente dhe mos të varet vetëm nga një vend apo lokacion i caktuar, si dhe kërkojmë që shtesa për rrezikshmëri në punë të jetë nga 25 deri në 50% e pagës bazë dhe të formohet një komision që do të bëjë rivlerësimin e nivelit dhe kategorizimin e shtesave për rrezikshmëri.

3. Përfshirja e njësive të caktuara në shtesën për kushte të tregut të punës.

4 ligji për pensionim në moshën 55-vjeçare, e njëjtë me ligjin e FSK-së.

5. Sigurimi jetësor dhe rritjen e fondit në buxhetin e policisë për shërbimet shëndetësore me qëllim të mbulimit të shpenzimeve për barna dhe shërbime tjera.

6. Invaliditeti i pjesëtarëve të PK-së të cilët janë lënduar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kërkojmë të krijohet një fond apo caktohet një shumë e mjeteve financiare për shkallën e invaliditetit.

7. Përfshirja e stafit civil në shtesën për punë specifike.

8. Shujta ditore për të gjithë pjesëtarët e policisë së Kosovës, për të gjithë e barabartë.

9. Pagesa e udhëtimit për ata që udhëtojnë larg nga vendbanimi deri në punë.

10. shtesa për fundvit e vlerës së një page për të gjithë ata që kanë treguar performancë të mirë gjatë tërë vitit.

11. Rikthimi i përvojës së punës për vite në 0.5 siç ka qenë, po ashtu edhe njohja e kualifikimit shkollor.

12. Të rikthehen tri pagat përcjellëse për zyrtarët që pensionohen.

13. Të lejohet një pagë për të gjithë pjesëtarët e policisë që mund të kenë një rast vdekje në familjen e ngushtë.

14. Përkujdesja për mirëqenien e familjeve të pjesëtarëve të policisë së Kosovës që kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës zyrtare apo janë lënduar. Si psh, shkollimi i fëmijëve, punësimi i njërit nga fëmijët apo anëtarë nga familja e ngushtë, sigurimi i vendbanimit nëse nuk kanë”, u shpreh Zeqiri në fjalën e tij para mediave.

Ai tha se janë të gatshëm të diskutojnë me qeverinë këto kushte ndërsa shfaqi shpresën që qeveria e Kosovës të ketë mirëkuptim dhe t’i ftojë në takim “në mënyrë që së bashku të gjejmë një zgjidhje konkrete për kërkesat tona legjitime”.

“Për hapat tjerë, ju njoftojmë me kohë. Në këtë moment, konsiderojmë të përfunduar protestën”, deklaroi Zeqiri.

Protesta e parë e NjSI-së është mbajtur më 1 nëntor para objektit të Qeverisë së Kosovës. Përndryshe në protestën e parë, policët elitarë kishin paralajmëruar se nuk do të zmbrapsen nga kërkesat e tyre.

Më 27 tetor, Qeveria e Kosovës prezantoi shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Shtesat janë ndarë në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve policorë.

Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë 150 euro mbi pagën bazë.

Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, qeveria tha se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh. 

/GazetaSinjali/