Me 6 maj 2021, në Kampin Novosellë, Njësia e Policisë Speciale (NjPS) e Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) mbajti stërvitje të përbashkëta me Batalionin rezervë taktik hungarez të KFOR-it (KTRBN) për kontrollimin e turmave dhe trazirave (KTT).
43 pjesëtarë të NjPS të EULEX-it dhe rreth 120 ushtarë të kontingjentit hungarez të KFOR-it morën pjesë në këto stërvitje, çka dëshmon bashkëpunimin e ngushtë mes EULEX-it dhe KFOR-it në ofrimin e sigurisë për Kosovën.
Stërvitjet për KTT u përqendruar në veçanti në fuqizimin e komunikimit dhe bashkërendimit mes EULEX-it si reagues i dytë i sigurisë dhe KFOR-it si reagues i tretë i sigurisë në sistemin treshtresor ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë, dhe në përmirësimin e taktikave dhe procedurave të përbashkëta për KTT.
Që nga qershori 2018 e deri më sot, Njësia Speciale e EULEX-it ka marrë pjesë në shtatë trajnime të përbashkëta me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, dy trajnime me Policinë e Kosovës dhe 39 trajnime me KFOR-in. Këto trajnime i avancojnë kapacitetet për të siguruar bashkërendim efektiv në mes të tre reaguesve të sigurisë në rast të zbarkimeve të vërteta.
Javën e kaluar, ekipi i NjPS të EULEX-it po ashtu pati trajnime me KFOR-in në lidhje me kryerjen e evakuimeve mjekësore me helikopter në bazën e EULEX-it në Mitrovicë. Gjatë trajnimit, pjesëtarët e NjPS mësuan për dërgimin e saktë të kërkesës për evakuime mjekësore, për përgatitjen e pacientëve për tërheqje me helikopter dhe për vendosjen e pacientëve në helikopter për t’u dërguar në objekte mjekësore për trajtim.
Si reagues i dytë i sigurisë, Njësia Speciale e EULEX-it kryen edhe patrullime ditore të vëzhgimit të terrenit, duke u përqendruar në pjesën veriore të Kosovës. /Gazeta Sinjali/