image KEK-u rikthen në funksion bllokun A5, riparimi i të cilit e çoi në burg Nagip Krasniqin

Politikë

KEK-u rikthen në funksion bllokun A5, riparimi i të cilit e çoi në burg Nagip Krasniqin

news image

Nagip Krasniqi, kryeshefi i pezulluar i Korporatës Energjetike të Kosovës gjendet në paraburgim nën dyshimet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Ushtrim ndikimi” dhe “Konflikt interesi”. Këto vepra penale për të cilat dyshohet ai është raportuar se ndërlidhen me procesin e remontit të Bllokut A5.

Ndërkohë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar se është kthyer në operim njësia A5.

Rizvanolli përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, bëri të ditur se punonjësit e Kosovës A i bënë dhuratën më të mirë për ditëlindjen e saj; rikthimin e njësisë A5 në operim.

Postimi i plotë i saj:

“Punonjësit e Kosovës A më dhanë dhuratën më të mirë për ditëlindje: rikthimi i njësisë A5 në operim. Së bashku me menaxhmentin dhe punonjësit festova ditëlindjen dhe rikthimin e njësisë në termocentralin Kosova A.

Në emër të Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës u shpreha mirënjohjen e pafund për punën me përkushtim për rikthimin e bllokut A5, si dhe për prodhimin me tri njësitë njëkohësisht përkundër sfidave”, ka shkruar ministrja.

Avokati i Nagip Krasniqit, Virtyt Ibrahimaga, para dy javësh e ka  konfirmuar se klienti i tij po dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me kontratën për riparimin e kalldajës së bllokut A5.

“Vepra penale qe ngarkohet Nagip Krasniqi  ka të bëje me supozimin e Keqpërdorimit të detyrës zyrtare për përfitim për vete ose dikë tjetër. Dyshimi i bazuar sipas prokurorisë është ekzistimi i kontratës me Kompaninë Zvicerane për riparimin e kaldajës për bllokun A5. Kjo kontratë është shkëputur me datë 20.03.2023 nga vet Nagip Krasniqi. Asnjë pagese nuk ështe bëre. Prokuroria është e njoftuar me ketë detaj. Askush nuk ka përfituar. KEK nuk ka pasuar asgjë. Si rrjedhoje lidhur me ketë çështje nuk mund te ekzistoj vepra penale”, ka shkruar Ibrahimaga në Facebook.

/GazetaSinjali/