Forcat policore e ushtarake të Serbisë, para 23 vjetëve kryen në Izbicë masakër ndaj 147 shqiptarëve të Kosovës.
Njëri nga dëshmitarët e këtij krimi të përgjakshëm serb, Agim Bajrami, ka rrëfyer tmerrin e asaj dite për të cilin thotë se e përjetuan shumë rëndë.
”Ka qenë e rëndë. Atë ditë njerëzit kanë qenë në lëvizje nga të gjitha anët. Se ka qenë fshat, që ka pasë bukë, ka pasë ujë. Këtu edhe janë tubu njerëzia. E kanë ditë që ka strehim të mjaftueshëm. Është edhe një gjë tjetër që Belica, një fshat këtu afër i banuar me serbë, në çdo luftë, gjithmonë janë pre me fshatin tonë, kështu që ata janë hakmerrë. Dhe kjo është pasojë e serbëve lokalë, me Bajë, me Suriganë, me këtë pjesë që lidhen pra që kanë qenë fshatrat serbe”.
Dyshimet tuaja janë tek banorët e një prej fshatit fqinj që veçse i kanë kry këto masakra?
”Sigurisht. Aty nuk ka dyshim. Ata kanë qenë udhëheqësit kryesorë. Për ata edhe është bo edhe kjo masakër”.
”Më shumë ka pasë të vrarë se të gjallë, sa kemi punu me i shti në dhe. E rëndë ka qenë shumë”.
Agim Bajrami njëherësh ishte edhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
28 marsi i vitit 1999, ishte dita e Kurban Bajramit, kur forcat serbe pasi hasën në rezistencë në disa fshatra si Ozdrim, Kodër të Hotit dhe disa fshatra, u kthyen në fshatin Izbicë ku ishin të strehuar banorë të 53 fshatrave nga komuna e Skenderajt, raporton KlanKosova.